Konjufca flet nga Haga: Puna e Speciales ka shumë defekte
Rtklive
Foto: RTKlive
Lajme

Konjufca flet nga Haga: Puna e Speciales ka shumë defekte

Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Hagë

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili po qëndron në Hagë për t’i vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim, ka thënë se institucionet e Kosovës e shohin me shqetësim Gjykatën Specale.

Konjufca, ka shtuar se kjo Gjykatë nuk është bërë prej qefit, por prej zorit.

“Me iu thënë të drejtën ne si Kosovë i shohim me shumë shqetësim. Shqetësuese ka qenë vet ekzistenca themelimi i kësaj Gjykate. Edhe ata që kanë menduar që është e pashmangshme edhe ata kanë pasur vërejtjet e veta në atë kohë kur është themeluar. Pra nuk është se është bërë prej qefit, ka qenë një far gjykate e zorit më thënë të drejtën, edhe ata që e kanë ngritur dorën kanë menduar se po të mos të bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë së prapë Kosovë do të pësonte. E di që në atë kohë nuk ka qenë e lehtë as për ata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar “për” ”, ka thënë i pari i Kuvendit në një intervistë për RTK.

Ai është shfaqur prapë kritik ndaj kësaj Gjykate duke thënë se po bëhen dy vite që krerët e UÇK-së janë në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor nuk ka filluar ende.

“Puna e saj deri tashme ka shumë defekte. Ajo që menjëherë ta merr vëmendjen, është se po bëhen dy vjet që këta janë të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”, ka shtuar Konjufca.

Foto: Gjeraqina Tuhina/ RTK

Konjufca viziton Krasniqin, Shalën e Selimin, nesër Thaçin e Veselin

(E plotësuar ora: 12: 03) Jakup Krasniqi dhe Pjetër Shala, janë dy të paraburgosurit në Gjykatën Speciale, që i takoi sot paradite, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryeparlamentari Konjufca, takimet me të akuzuarit e Speciales do t’i vazhdojë edhe pasditen e sotme, kurse të tjerët do t’i takojë nesër.

Kështu, kreu i legjislativit kosovar, si zyrtari i parë i nivelit të lartë nga Kosova që viziton ish krerët e UÇK-së në Hagë, pasdite do ta vizitojë ish komandantin e UÇK-së dhe ish deputetin e partisë së tij nga LVV, Rexhep Selimin.

Megjithatë, ai nuk do të mund të takohet me ish komandantin tjetër, Salih Mustafa, për shkak se procedura gjyqësore në të cilën ai ndodhet aktualisht, është në një fazë specifike.

Ndërkohë, Kryeparlamentari Konjufca, vizitën e tij tek të akuzuarit që po mbahen në Dhomat e Specializuara, do ta vazhdojë edhe nesër.

Ai do të vizitojë ish kreun e Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe ish presidentin Hashim Thaçi si dhe ish kreun e UÇK-së dhe njëkohësisht, pararadhësin e tij në postin e kryekuvendarit, Kadri Veseli.

Siç ka thënë Konjufca para shkuarjes në Hagë për të realizuar këto vizita, kjo bëhet për të parë se çfarë po ndodhë me të akuzuarit, për shkak të procesit gjyqësor, që sipas tij vazhdon të zvarritet. Kjo për faktin se as pas një viti e gjysmë nga shkuarja e tyre vullnetarisht në Hagë, procesi gjyqësor nuk ka filluar.

RTKlive ka siguruar fotografi nga momenti kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, del nga Dhomat e Specializuara, pasi vizitoi Krasniqin e Shalën.

Foto: Glauk Konjufca/ Facebook

Konjufca mbërrin në Hagë, pritet ta takojë edhe Thaçin e Veselin

Kimete Kasumi/ RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbërritur në Hagë. Shefi i stafit të Konjufcës, Ilir Kerqeli, ka publikuar një fotografi në Hagë.

Konjufca do t’i takojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Para nisjes për Hagë, Konjufca ka thënë se institucionet e vendit janë të shqetësuara çfarë po u ndodh atyre atje, ndërsa ka shtuar se qëllimi i kësaj vizite është të tregojë se po i përcjellin me vëmendje këto procese.

Glauk Konjufca është zyrtari i parë i lartë i shtetit që do t’i takojë të gjithë ish-krerët e UÇK-së në qendrën e paraburgimit në Hagë.


MË SHUME NGA Lajme