Kurti në Viti premton 1 miliard për prodhimtarinë dhe ushtrinë
Visar Shatrolli/ RTK
Pas Gjilanit, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën elektorale në komunën e Vitisë. Të pranishmëve, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, u premtoi vazhdimin e rritjes së buxhetit, me zotimet për nga 1 miliard euro për prodhimtarinë dhe ushtrinë. Kurti në këtë takim foli edhe për prodhimin e dronëve “Made in Kosova” dhe ruajtjen e kufirit të Republikës përmes xhandarmërisë.
Komuna e Vitisë ishte ndalesa e radhës e fushatës elektorale të kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti në këtë tubim deklaroi se ekonomisë së vendit për secilin vit i kanë shtuar nga 1 miliard euro, gjë që ka ndihmuar në rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat, e bashkë me to edhe rritjen e buxhetit. Ai u zotua për vazhdimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Rritjen ekonomike duhet ta vazhdojmë, programin e punësimit ‘Superpuna’ për të rinjtë do ta zgjerojmë, ndërsa ‘Superpuna’ për gratë – çdo gruaje që punësohet në sektorin privat do t’ia shtojmë nga 500 euro në vit”, tha ai.
Edhe në këtë komunë, Kurti premtoi 1 miliard euro për prodhimtarinë dhe 1 miliard euro për ushtrinë, derisa përmendi prodhimin e dronëve “Made in Kosova” dhe ruajtjen e kufirit të Republikës përmes xhandarmërisë, duke shtuar se “xhandarmëria do të kujdeset për ruajtjen e kufirit nga kërcënimet”.
Kurti tha se qytetarët e Vitisë do të jenë pjesë e ndryshimeve të reja që ai dhe Vetëvendosje synojnë t’i realizojnë në mandatin e ardhshëm, duke premtuar më shumë investime, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies për të gjithë qytetarët.
Kurti në Viti premton 1 miliard për prodhimtarinë dhe ushtrinë, flet për dronë “Made in Kosova”























