Hamza në Skenderaj premton rritje pagash 50% dhe reforma në shëndetësi
BKT
Zgjedhjet 2026

Hamza në Skenderaj premton rritje pagash 50% dhe reforma në shëndetësi

Besjana Mulaj/RTK

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një tubim zgjedhor në komunën e Skenderajt, ku kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, premtoi rritje të pensionit për veteranët e luftës, ngritje të pagës për 50% për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.

Fushatën elektorale, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, e ka vazhduar sot në Skenderaj, ku para përkrahësve të këtij subjekti politik premtoi rritje të pensionit të veteranëve të luftës, duke mos i ndarë nga e drejta e pensionit të moshës.

"Do ta bëjmë ligjin, ju premtoj që do ta procedojmë dhe do ta bëjmë ligjin i cili i mbron vlerat e luftës. Do t'ju mundësojmë rritje 50% veteranëve, rritje të pagës dhe lejimi, pa pengesë, që ata punojnë kudo që gjejnë punë dhe janë të kualifikuar në sektorin privat. Shëndetësi më të mirë, listën e barnave esenciale do ta zgjerojmë. Pacientët nuk do të frikësohen se do të mbesin pa barna. Ne do t'i modernizojmë spitalet. Ne do t'i t'i fusim në funksion sigurimet shëndetësore. Arsim më cilësor, pagesat e dinjitetshme për personelin arsimor. Fond të veçantë për bursa që të rejat dhe të rinjtë mos të ngelin pa përfunduar studimet”, tha mes tjerash Hamza.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe lidership me rezultate konkrete, duke premtuar mbështetje për bizneset, krijim të vendeve të reja të punës dhe rritje të buxhetit të shtetit.

“E kur të rritet buxheti i Kosovës, po, me Partinë Demokratike të Kosovës 50% do të rriten pagat për të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Kosovë: edhe për mësuesit, edhe për arsimtarët, edhe për profesorët, edhe për policët, edhe për zjarrfikësit, edhe për personelin shëndetësor, edhe për të gjithë ata që marrin paga përmes buxhetit të Kosovës”, tha Bedri Hamza. 

Hamza premtoi se me qeverisjen e tij do të hyjë në funksion sigurimi shëndetësor publik.