Digjitalizimi dhe migrimi në fokus të takimit mes Jagxhiut dhe shefes së IOM-it
BKT
Ekonomi

Digjitalizimi dhe migrimi në fokus të takimit mes Jagxhiut dhe shefes së IOM-it

A.B/RTKLive

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, zhvilloi një takim me Marian Benbow, Shefe e Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Kosovë, ku diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fushën e transformimit digjital, thjeshtimit të shërbimeve publike dhe përmirësimit të përvojës së qytetarëve.

Gjatë takimit, ministri prezantoi prioritetet e Ministrisë në fushën e digjitalizimit, sigurisë kibernetike, ekonomisë digjitale dhe zvogëlimit të barrës administrative, si dhe progresin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, me theks të veçantë në ndërveprimin institucional dhe shkëmbimin e të dhënave.

Një ndër temat kryesore ishte qasja e ofrimit të shërbimeve bazuar në ngjarje jetësore, e cila vendos qytetarin në qendër dhe synon koordinimin e institucioneve për ofrimin proaktiv të shërbimeve. Në këtë kontekst, u diskutua edhe trajtimi i lëvizshmërisë dhe migrimit si ngjarje jetësore, duke përfshirë ndryshimin e vendbanimit, kthimin në Kosovë dhe ardhjen e personave të huaj.

Po ashtu, u trajtuan mundësitë për përmirësimin e shërbimeve për diasporën, duke marrë parasysh kontributin e saj ekonomik, profesional dhe akademik, si dhe zhvillimin e një qasjeje më të integruar për informimin dhe orientimin e personave që vijnë në Kosovë.

Palët diskutuan gjithashtu iniciativat e IOM-it në fushën e migrimit dhe regjistrimit të të huajve, shkëmbimin e praktikave ndërkombëtare dhe përshtatjen e tyre me kontekstin e Kosovës.

Ministri Jagxhiu shprehu gatishmërinë për avancimin e bashkëpunimit në këto fusha, përfshirë angazhimin e ekspertizës nga diaspora dhe shfrytëzimin e inteligjencës artificiale për përmirësimin e politikave publike dhe ofrimin e shërbimeve.

Synimi mbetet ndërtimi i institucioneve më të ndërlidhura, shërbimeve më proaktive dhe një administrate që u përgjigjet nevojave të qytetarëve, pa krijuar barrë të panevojshme për ta


MË SHUME NGA Ekonomi