Hapet panairi i 18-të i "EXPOKOS"
BKT
Ekonomi

Hapet panairi i 18-të i "EXPOKOS"

Institucionet shtetërore duhet të jenë gjithmonë në mbështetje të bizneseve vendore, në mënyrë që zhvillimi ekonomik të jetë në një nivel më të mirë, pasi që aktualisht ka mungesë të përkrahjes institucionale.

Kështu tha kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skender Krasniqi me rastin e hapjes së panairit të 18-të "EXPOKOS", i cili mbulon fushën e ndërtimit, energjisë, makinerisë dhe mbrojtjen dhe sigurinë në punë.

Me këtë rast u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Odës britanike në Kosovë, Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Klubit të Bizneseve Sllovene dhe KIMERK-ut ( Kllasteri i Industrisë së Metaleve dhe Energjisë së Ripërtëritshme të Kosovës).

 

Ndërsa kritika u adresuan për institucionet e vendit, të cilat përkundër se ishin të ftuara të merrnin pjesë në hapjen e panairit, asnjë përfaqësues i tyre nuk ishte prezent.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skender Krasniqi vuri në pah mungesën e përfaqësuesve institucionalë të vendit në këtë panair, me ç’rast tha se përkundër asaj se këta të fundit tërë kohën flasin për zhvillim ekonomik, nuk e morën mundin që të jenë prezent në panairin e sotëm.

 

Ai foli edhe për rëndësinë e panairit, duke thënë se mundëson fuqizimin e bizneseve të Kosovës në tregjet ekzistuese, teksa shtoi se si Odë e Afarizmit janë të përkushtuar që të kthejnë vëmendjen e qeverisë në të bërit biznes.

Ndërsa, Bekim Xhafa, menaxher i panairit EXPOKOS, tha se nëse institucionet vazhdojnë të bojkotojnë nevojat e bizneseve, atëherë as këto të fundit nuk do t'i mbështesin ato.

Edhe nënkryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri - Perëndimore, Nagip Fejzi, u shpreh se përkundër një organizimi shumë të mirë të panairit EXPOKOS, mbetet problematike mungesa e institucioneve në këtë panair.

Bekim Kastrati, drejtor i Odës Britanike në Kosovë, foli për marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar sot, për të cilën tha se është një formalizim i bashkëpunimit të suksesshëm të deritashëm.

Bajram Fusha nga Klubi i Bizneseve Sllovene u shpreh se dëshiron që të rinjtë e vendit të angazhohen në ato procese që janë të rëndësishme për ta dhe punën e tyre.

Në këtë panair po marrin pjesë biznese të ndryshme të fushës së energjisë, ndërtimit si dhe mbrojtjes dhe sigurisë në punë.

 

Kujtesa Ibushi Ramadani, menaxhere e shitjes dhe marketingut në Besa Security, thotë se panairi i sotëm ka një përparësi të madhe, e që është fakti se shërben si urë lidhëse mes bizneseve.

Gëzim Dedinca, menaxher i shitjes në Pozhegu Brothers, thotë se janë shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e tyre në panair, teksa tregon edhe për pritjet e tyre.

Ndryshe, panairi EXPOKOS do të jetë i hapur deri më 18 prill, ndërsa shërben si urë lidhëse në mes të bizneseve të ndryshme, duke lidhur njëkohësisht kërkesën dhe ofertën.


MË SHUME NGA Ekonomi