Shkrirja e KPMM-së në Shërbimin Gjeologjik dekurajon investitorët e huaj
Anëtari i Bordit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Azem Rexhaj, i cili ka qenë edhe drejtor i këtij institucioni, ka thënë se shkrirja e KPMM-së në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës do t’i dekurajojnë investitorët e huaj për sektorin mineral.
Ai ka bërë me dije se janë në përgatitje të një dokumenti përmes të cilit do ta arsyetojnë domosdoshmërinë dhe rëndësinë e KPMM-së në nivelin e agjencisë së pavarur.
Rexhaj ka thënë se këtë dokument do t’ia përcjellin qeverisë dhe do të jepen arsyet pse nuk duhet të dëmtohet ky sektor aq i rëndësishëm.
Z. Rexhaj, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura ka paraparë që KPMM-ja të shkrihet në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, ndërkohë që ju po e kundërshtoni. Pse?
Rexhaj: Draftligji për Miniera dhe Minerale, i cili pritet të miratohet në lexim të dytë, ka paraparë avancim të sektorit minerar dhe kompetencave të KPMM-së, e jo të ndodhë e kundërta siç është paraparëme Projektligjin për racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura. Bëhet fjalë për një draft që është duke e punuar Ministria e Administratës Publike në bashkëpunim me konsulencat e tjera që, veç të tjerash, ka paraparë që KPMM-ja tëshkrihet në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës (ShGjK). Ne e kemi kundërshtuar, pasi hartuesi i këtij draftligji s’ka qenë fare i informuar për sektorin e minierave. Duket se idejae tyre ka buruar nga ajo se KPMM-ja konsiderohet se ka kompetenca ekzekutive pasi lëshon licenca, por kjo nuk qëndron për faktin se licenca lëshon edhe BQK-ja dhe rregullatorët e tjerë. Në debatin publik që kishim,përveç KPMM-së, kjo ide nuk u mbështet as nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe as nga Ministria për Zhvillim Ekonomik. / “Epoka e re”























