Korporata e Investimeve, rishikohet ligji i “oligarkëve”
FMN kritika qeverisë për Korporatën e cila merr pronat shtetërore për t’i ndarë te oligarkët. Ministrja e Financave, Anila Denaj ngre grup të posaçëm për ndryshuar projektligjin
Kamuflimi i qeverisë shqiptare me Korporatën e Investimeve, e cila iu jep klientëve të vet pronat me oferta të pakërkuara, përpos debatit publik që hapi te specialistët e ekonomisë dhe partitë politike, ka pasur kritika të forta edhe nga FMN e Banka Botërore. Përmes projektligjit të miratuar dy javë më parë në parlament, qeveria krijoi një institucion të ri, i cili do të marrë në administrim pronat, me qëllimin e fshehtë për t’i ndarë ato tek oligarkët. Por kjo ide, e cila ka gjasa të shpallë një konflikt të ri për çështjen e pronave dhe që nga qeveria u aprovua në heshtje do të rrëzohet pjesërisht. E tillë është deklarata e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në një prononcim për mediat. “Projektligji është aprovuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe është një proces, i cili në trajektoren e tij të diskutimeve do të marrë parasysh edhe rekomandimet e FMN, BB dhe BERZH, të cilat ne jemi duke i analizuar dhe duke gjetur një mënyrë sesi të marrim feedback, por njëkohësisht të implementojmë aty ku është e nevojshme projektet e tyre”.
Pra, kjo deklaratë lë të nënkuptohet se Ministria e Financave ka vendosur që të reflektojë rekomandimet e dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore në projektligjin e miratuar në Këshillin e Ministrave dy javë më parë, për krijimin e Korporatës Shtetërore të Investimeve. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha këshillat e ndërkombëtarëve do të vihen në zbatim gjatë kohë që projektligji do të shqyrtohet në kuvend. Projektligji për Korporatën e Investimeve ka hapur debate publike lidhur me kompetencat që shteti i jep kësaj njësie për administrimin e pronës publike. Korporatës po ashtu i njihet e drejta të marrë borxh dhe të përjashtohet nga procedurat ligjore të prokurimit publik edhe në zgjedhjen e fituesve të projekteve koncesionare. Vetë Fondi Monetar në raportin e fundit të post monitorimit për Shqipërinë, kërkoi që të merret parasysh përvoja botërore dhe risqet që shoqërojnë projekte të tilla, të cilat mund të kërcënojnë në të ardhmen treguesit e borxhit dhe stabilitetit financiar.
Për të vendosur në shina ligjore, Korporatën e Investimeve qeveria hartoi paralelisht edhe një projektligj për bllokimin e ofertave të pakërkuara që bëjnë kompanitë e mëdha për projekte koncesionare. Dy projektligjet e përgatitura nga qeveria, në plan të parë duket sikur përmirësojnë imazhin e saj dhe të vendit, por nuk janë as më shumë e as më pak, një monopolizim dhe grabitje e pronave strategjike në vend. Si lexohet më thjesht hartimi i tyre dhe cila është nyja që i lidh? Deri në korrik të 2019-ës investitorët apo oligarkët (emri që kanë marrë biznesmenët e paprekshëm në vend) kanë kohë për të bërë oferta të pakërkuara. Ndërsa, Korporata e Investimeve, e cila duket si një organ i pavarur jo vetëm që do të mirëpresë këto oferta, por me tagrin që merr mund t’u ofrojë atyre gjithçka në pronat e bregdetit dhe kudo ku ka hapësira për të ngritur aktivitete fitimprurëse.
Pronat
Objekti i veprimtarisë së Korporatës, siç citohet në relacionin e projektligjit, është përmirësimi i menaxhimit të pronës publike, krijimi i pronave të reja, vënia në përdorim me eficiencë të pronave, përgatitja dhe zbatimi i projekteve të investimit, dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Pra, projektligji parashikon kalimin e pronës publike tek privatët për investime të ndryshme, por ajo që bie në sy dhe është shqetësuese, kalimi i pronave nuk kalon përmes procedurës së Prokurimit Publik. Neni 12 i projektligjit citon se “Korporata përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik. Procedurat dhe rregullat e prokurimit të veçantë sipas kësaj pike, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit.” Në të njëjtën kohë korporata parashikohet të jetë në “pronësi” të qeverisë, e cila vendos se kujt do t’ia kalojë aksh pronë.
“Pronarët” e Korporatës
Neni 13 i projektligjit përcakton organet drejtuese të Korporatës;1. Asambleja e Përgjithshme; 2. Këshilli Mbikëqyrës; 3. Drejtori Ekzekutiv; 4. Bordi Këshillimor. Neni 15 parashikon që Këshilli Mbikëqyrës të përbëhet nga pesë anëtarë; një anëtar është përfaqësues i institucioneve qendrore dhe katër janë përfaqësues nga biznesi dhe fusha akademike. Mandej projektligji parashikon lejimin e Korporatës të marrë kredi nga çdo lloj institucioni financiar, pa pasur nevojë për miratim nga askush. Si garanci për kreditë që do të merren, Korporata, mund të lërë pronat që ka në zotërim dhe menaxhim. Nëse ajo humbet aftësinë paguese për huat e marra, rrezikon të humbë garancinë që në këtë rast është prona publike. Pra, nga shfuqizimi i ofertës së pakërkuar për rrugët, qeveria vendos me ligj të kërkojë vetë biznese që t’u japë pronat publike.























