Turistët e huaj shpenzuan mesatarisht 52 euro në ditë
Turistët e huaj shpenzuan mesatarisht 52 euro në ditë gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë. Publikimi i fundit i Institutit të Statistikave për sektorin e turizmit gjatë vitit 2018 tregon se mesatarja e netëve të qëndrimit ishte 4.3 ditë.
Nga përpunimi i të dhënave rezulton se grupi që na preferon më së shumti janë shtetasit nga Kosova ndërkohë që lidhur me profilin e transportit 81 për qind vijnë me makina private. Në 76 për qind të rasteve vendqëndrimi i turistëve të huaj është hoteli.
Sipas netëve të qëndrimit sipas shtetësisë rezulton se turistët italianë janë ata që kanë pushime më “të gjata” në Shqipëri. Kështu mesatarisht italianët kanë 6.8 ditë qëndrimi dhe 64 për qind e shtetasve që kanë hyrë në territorin tonë kanë cituar si arsye pushimet. Ata kanë edhe shpenzimet më të larta ditore me 81 euro për person.























