Voss: Firmat në Kosovë kërkojnë punëtorë por të rinjtë presin para ambasada
Sistemi gjerman po shihet si një shembull ideal për të nxjerrë Kosovën nga gjendja në të cilën ndodhet, pasi vendi po ballafaqohet me mungesë të shkollave profesionale, mungesë të praktikës në punë dhe veçanërisht të kooperimit praktik ndërmjet firmave dhe punëtorëve.
Kështu u tha në konferencën “Arsimi dhe orientimi profesional janë politikë ekonomike”, organizuar nga organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Fondacioni Friedrich Ebert në Kosovë, ku u fol për rëndësinë e arsimit profesional për zhvillimin e vendit.
Për të mbështetur këtë iniciativë për arsim dhe orientim profesional, në këtë ngjarje kishte ardhur edhe zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, Jan-Axel Voss, i cili tha se Gjermania është e interesuar të përkrahë sistemin arsimor në Kosovë.
Ai tërhoqi vëmendjen se institucionet e Kosovës duhet të marrin shembull nga Serbia, e cila duke u mbështetur në sistemin e mirë arsimor, po këmbëngulë që fabrika e veturave Ëolsfagen të ndërtohet atje.
Sipas tij, hapja e shkollave profesionale në vend dhe bashkëpunimi i mirë i ndërmarrjeve me to, do të ndikonin që të zbehet dëshira e të rinjve për të dal jashtë vendit.
“Gjermania është e interesuar që të përkrahë sistemin arsimor në Kosovë. Gjermania është një shtet shumë i madh, por ka numër të pa mjaftueshëm punëtorësh dhe ne kemi nevojë për ekspertë të aftë, dhe t’iu them të drejtën, ne kemi një sistem shumë të mirë, sistem i cili mund të shërbej si model shumë i mirë edhe këtu në Kosovë, ku edhe shkollat akademike dhe profesionale kanë mundësi të përdorin këto modele... Vështirësitë më të mëdha që i kemi parë këtu në Kosovë, është se shumë firma këtu kërkojnë shumë punëtorë, ndërsa shumë të rinj presin para ambasadave për të kërkuar punë. Unë jam qe 2 vite në Kosovë dhe mendimi im është se Kosovës i mungojnë shumë shkollat profesionale dhe mungon praktika në punë, sidomos kooperimi praktik ndërmjet firmave dhe punëtorëve”, tha ai.
Duke folur për rëndësinë e arsimit profesional, Voss tha se Kosova mund të ndjek edhe shembullin e Beogradit, pasi ky i fundit po lobon që të ndërtojë fabrikën e veturave Ëolsfagen në Serbi.
E për këtë, ai tha se Serbia po përdorë si arsyetim sistemin e mirë arsimor, gjë që Kosova duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.
Për Klaus Bader - Labarre nga GIZ, bizneset kosovare në vend duhet të reprezantojnë sa më shumë modelin gjerman.
Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano- Kosovare, Nora Hasani, tha se tema që trajtohet sot është tejet e rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Frank Hantke nga FES tha se është e rëndësishme të merren shembuj të mirë që japin mundësi të mira të zhvillimit.
Ndryshe, konferenca “Arsimi profesional dhe orientimi profesional janë politikë ekonomike”, po i zhvillon punimet e veta në Institutin e Historisë në Prishtinë, të cilat do të zgjasin deri ën orën 18. Në fund të konferencës, para të pranishmeve pritet që të mbajë një fjalë rasti edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.























