Ministrja Zhiviq premton përkrahje për fermerët e Zveçanit
BKT
Ekonomi

Ministrja Zhiviq premton përkrahje për fermerët e Zveçanit

Programi i Zhvillimit Rural për vitin 2019 është një nga programet aktuale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministrja e kësaj ministrie Dijana Zhiviq e ka prezantuar këtë program para një numri të madh fermerësh në Zveçan.

 "Sektori i bujqësisë është thelbësor për rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë ekonomike të popullsisë rurale, për këtë arsye

Programi i Zhvillimit për vitin 2019 është projektuar për të mbështetur të gjithë sektorët dhe kategoritë e fermerëve. Nëpërmjet zbatimit të këtij programi, ne synojmë të përmirësojmë pozitën e fermerëve dhe të zhvillojmë sektorin e bujqësisë, industrisë ushqimore, si dhe biznesin rural ", ka thënë ministrja Zhiviq.

Siç theksohet, në Programin e Zhvillimit Rural për vitin 2019, prioritet të veçantë kanë investimet që ofrojnë vende të reja pune.

"Unë, si ministre e këtij departamenti, mund të garantoj se do të ketë transparencë në zbatimin e këtij programi dhe në asnjë moment nuk do të lejoj që të shkelet ligji, po ashtu ju premtoj se gjithmonë do të përpiqem për rritjen e buxhetit në këtë sektor, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë fermerët në zonat rurale ", ka shtuar ministrja Zhiviq.

 Ajo i ftoi të gjithë pjesëmarrësit të përfitojnë nga mundësitë që ofron ky program. "Aplikoni, që të zgjeroni fermën dhe biznesin tuaj dhe në këtë mënyrë të krijoni të ardhura për ju dhe familjen tuaj", ka theksuar Zhiviq


MË SHUME NGA Ekonomi