AP prej vitesh implementon programin për subvencionim në pagë
Pajtim Çuni
Me qëllim të uljes së shkallës së papunësisë, Agjencia e Punësimit prej vitesh është duke implementuar programin për subvencionim në pagë, të një numri punëkërkuesish që gjejnë punë.
Përfituesit nga ky program, punëkërkuesit e punëdhënësit, por edhe në Agjencinë e Punësimit, pohojnë se kjo është një mundësi e mirë që po jep rezultate.
Ishte i papunë, por donte të punonte, e kjo bëri që Çlirim Ademi, nga Ferizaj, të kërkojë punë në Qendrën e Punësimit dhe pas një kohe të punësohet mjeshtër mobiliesh.
“Më herët nuk kam punuar. Kam qenë i papunë. Punën te mobilieria “ANB-Baliu” e kam filluar në muajin mars dhe jam i kënaqur me kushtet e punës, por edhe me pagesën”, tha ai.
Ky i ri, që u punësua në kuadër të programit të subvencionimit në paga të Agjencisë së Punësimit, ka kontratë pune 1 vjeçare, me pagesë 300 euro, të paguar 50/50 nga shteti dhe punëdhënësi.
Bujar Baliu, punëdhënësi i Çlirimit, thotë se kjo është mundësi e mirë, ndërkohë që shton se në kohën kur të rinjtë po largohen nga vendi, shteti është mirë të fillojë subvencionimin e pagesave.
“Nëse shkohet me 20%, vetë punëtori ka për ta detyruar kompaninë që t’ia paraqesë pagën reale, për shkak të përvetësimit të subvencionimit. Kjo ide është mirë të zhvillohet nga ekspertët, në mënyrë që t’i japim fund ikjes së punëtorëve nga Kosova”, tha ai.
Sipas Baliut, subvencionimi në pagë, nuk do të ishte barrë e madhe për shtetin, pasi që kështu, bizneset nuk do të mund t’i shmangeshin tatimit për të ardhurat e punëtorëve.
Për programin e subvencionimit në pagë, që po vazhdon ta zbatojë Agjencia e Punësimit, drejtori i saj, Drin Haraçia, thotë se do të vazhdojë.
“Gjatë këtij vit ne do të kemi edhe thirrje të tjera për punëkërkuesit eventualë dhe bizneset e interesuara. Programin e subvencionimit në pagë e bëjmë bashkërisht me disa donatorë. Kjo si skemë ka rezultuar mjaft e suksesshme, ku një numër i madh i të angazhuarve ka arritur të ketë punësim më afatgjatë”, tha Haraçia.
Në Agjencinë e Punësimit thonë se është e nevojshme që të ndahen më shumë mjete për programin e subvencionimit në pagë, i cili ka rezultuar si mjaft i suksesshëm.























