Ende ka produkte të Serbisë në tregun kosovar, thonë qytetarët
BKT
Ekonomi

Ende ka produkte të Serbisë në tregun kosovar, thonë qytetarët

Arbenita Marmullaku

Ndonëse kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që nga vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovës, qytetarët thonë se ende ka produkte të Serbisë në tregun kosovar.

Dogana e Kosovës deklaroi se tendenca për kontrabandim ka në vazhdimësi. Ndërsa sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, që nga paslufta kontrabanda nga Serbia vlerësohet të jetë mbi 2.5 miliardë euro.

Vënia e taksës 100% ndaj produkteve nga Serbia dhe atyre nga Bosnja, ka bërë që mallra të këtyre vendeve të hyjnë nëpër rrugë ilegale në tregun e Kosovës. Qytetarët thonë se produktet serbe ende janë prezentë në tregun kosovar. 

“Kam parë shumë produkte me origjinë nga Serbia, dhe çmimet janë të njëjta sikurse kanë qenë para  vendosjes së taksës”, thotë Leonora Qarri.

“Po, kam parë produkte serbe në marketet tona, kam parë shtrudlle, plazma keks, e disa produkte të tjera ushqimore, kanë qenë në një kënd të ndarë dhe çmimet i kanë pasur më të larta”, thotë një qytetare tjetër me emrin Albana.

Ndërkaq kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë për Radio Kosovën se kontrabanda në Kosovë po shkatërron ekonominë e vendit, duke krijuar grupe kriminale që janë të involvuar edhe në ekonomi edhe në politikë. Sipas tij, këta njerëz kanë ndikim në sferat të ndryshme duke krijuar monopole .

“Konkurrenca informale, e cila është e ashpër, tregon më së miri që deklarimet e fundit të institucioneve të Serbisë janë që mbi 300 milionë kanë humbje prej vënies së taksës, kurse në Kosovë vlerësojnë mbi 230 milionë. Nëse merren parasysh këto deklarime dhe bëhet një analizë del se kontrabanda nga Serbia që nga përfundimi i luftës arrin mbi 2.5 miliardë euro.

Dogana e Kosovës në një përgjigjeje me shkrim ka thënë për Radio Kosovën se që nga vendosja e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, janë kontrolluar  të gjitha dërgesat nga këto dy vende. 

“Dogana e Kosovës ka shtuar numrin e ekipeve Anti Kontrabandë duke rritur aktivitetet dhe operon 24 orë në zonat ku dyshohet se ka tentim të kontrabandës me mallra, në veçanti në rajonin e Mitrovicës. Këto njësite  kanë ndërmarrë 1047 aktivitete patrulluese në  zonat me risk, që ka rezultuar me  zbulimin e mallrave kontrabandë në mbi 230 raste. Sektorët relevant të Doganës kanë rritur kontrollin edhe te subjektet ekonomike edhe ne brendi te vendit, ku janë ndërmarrë rreth 166 aktivitete kontrolli ne lokacionet e subjekteve tregtare. Kontrollet  janë kryer me fokus në mallra të kontrabanduara”, thuhet në përgjigjen e  Doganës së Kosovës.

Por, mallra nga këto dy vende po vazhdojnë të jenë prezentë në tregun kosovar. Për të luftuar krimin dhe kontrabandën, Policia e Kosovës ditë më parë ka zhvilluar një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, si dhe në disa qytete tjera, ku ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme dhe disa qytetarë.


MË SHUME NGA Ekonomi