Shtohet interesimi i të huajve për investime në Kosovë
Muharrem Saragjolli
Sivjet po vërehet rritje e interesimit nga të huajt për të investuar në Kosovë, ka thënë për Radio Kosovën, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka. Ai pajtohet me deklaratën e Ambasadorit amerikan në Kosovë Filip Kosnet, se kompanitë amerikanë do të investojnë në ato vende ku ka kuptim për biznes. Rritje të investimeve ka konfirmuar edhe Ministria e Tregtisë e Industrisë.
Në tremujorin e parë të këtij viti është shënuar rritje e investimeve të huaja direkte në shkallën prej 105%, thonë nga Ministria e Tregtisë e Industrisë. Nga mbi 30 milionë euro investime në kuartalin e parë të vitit të kaluar, sivjet janë shënuar mbi 60 milionë euro investime. Këtë vit po vërehet një trend pozitiv krahasuar me vitin e kaluar, e thotë edhe drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka.
“Ne nga Oda Ekonomike Amerikane mund të konfirmojmë që ka pasur diku tri kompani që nga fundi i vitit të kaluar e fillimi i këtij viti që kanë shtrirë operacionet e tyre në Kosovë, kryesisht në fushën e Teknologjisë Informative, gjë që është një lajm i mirë edhe për ekonominë tonë edhe për krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.
Megjithatë, ajo çka duhet të bëhet më tutje është promovimi më agresiv i mundësive për të investuar në Kosovë, si para investitorëve amerikanë ashtu edhe të tjerëve, tha ai.
“Ne kemi pasur një përmirësim në mjedisin e të bërit biznes, por që asnjëherë nuk është konkretizuar në tërheqjen e investimeve. Ka munguar ky koleracioni ndërmjet reformave që kemi bërë në lehtësimin e të bërit biznes dhe rritjes së normës së investimeve të huaja direkte”, tha Zeka.
Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Kosovë, Filip Kosnet, së fundi ka thënë se bizneset amerikane investojnë në ato vende ku ka kuptim.
“Kur njerëzit më pyesin pse më shumë kompani amerikane nuk hapin fabrika në Kosovë, se Kosova e do Amerikën, apo pse qeveria amerikane nuk i urdhëron ndërmarrjet për të hapur fabrikat, unë jam ai që duhet të jap lajmin se biznesmenët do të investojnë atje ku ka kuptim për biznes dhe pikë”, u shpreh diplomati amerikan.
E drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka, pajtohet me këtë konstatim:
“Deklaratës së ambasadorit amerikan nuk do të mund t’i shtoja asgjë tjetër. Kjo është plotësisht e kuptueshme. Pra, bizneset shkojnë atje ku i shohin mundësitë. Por, megjithatë ne besojmë që ekzistojnë mundësi të shumta. Kosova është një vend i ri, dhe si çdo vend i ri dhe vend në zhvillim atëherë edhe mundësitë për të përfituar në aspektin biznesor janë goxha të mëdha”, tha ai.
Zeka tha se të gjitha vendet e rajonit duhet bashkë të promovohen si një destinacion për investime, sepse individualisht tregjet e vogla do ta kenë betejën e humbur.























