Ekonomia shqiptare tkurret ndjeshëm në 2019-n, rritja 2%
BKT
Ekonomi

Ekonomia shqiptare tkurret ndjeshëm në 2019-n, rritja 2%

Rënia e prodhimit të energjisë elektrike, përgjysmon nivelin e rritjes ekonomike. Ekonomia shqiptare tkurret ndjeshëm në 2019-n, rritja vetëm 2.2 %

Ekonomia shqiptare gjatë pjesës më të madhe të vitit 2018 kishte një rritje prej rreth 4%, shifër, e cila pasqyrohet si një zhvillimi pozitiv për financat e vendit. Megjithatë, realisht kjo rritje ekonomike prej 4% nxitej nga disa faktorë që kishin kontribut të rëndësishëm në ekonominë e vendit, siç ishte prodhimi i energjisë elektrike në masë për shkak të reshjeve të shumta gjatë vitit të kaluar. Kontributi i energjisë elektrike duket se ka qenë sa gjysma e rritjes ekonomike. Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga Instituti i Statistikave, rritja ekonomike e Shqipërisë në 3 muajt e parë të vitit 2019 ishte vetëm 2.21 %. Duke iu referuar shifrave të INSTAT, rezulton se ekonomia shqiptare është tkurrur ndjeshëm në 2019-n. Një nga shkaqet është pikërisht rënia e prodhimit të energjisë elektrike. Sipas INSTAT, shifra prej 2.21 % është rritja më e ulët e ekonomisë shqiptare që nga 3 mujori i dytë i vitit 2015 dhe pothuajse sa gjysma e vlerës së vitit 2018. Në fillimin e 2019-s, kontributi i energjisë dhe industrisë ishte negativ prej -0.81%. Ndërkohë sektorët që kanë nxitur rritjen në tre muajt e parë tashmë janë tregtia, e nxitur nga turizmi (0.51 pikë përqindje) dhe ndërtimi (0.43 pikë përqindje).

Shifrat e INSTAT

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në këtë rritje kontributin kryesor kanë: Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor me 0.68 pikë përqindje, Aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.51 pikë përqindje, Ndërtimi me 0.43 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me 0.36 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,33 pikë përqindje, Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,26 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24 pikë përqindje dhe Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,20 pikë përqindje. Negativisht kontribuoi aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Uji me -0,81 pikë përqindje dhe Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,54 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,48 pikë përqindje. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 1,33 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 6,05 %. Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë Aktivitetet Energjia dhe Industria Prodhimit të produkteve metalike, të cilat ka shënuar një rënie përkatësisht me 43,8 % dhe 6,85 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati rritje me 5,95 %. Grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 4,61 %, i ndikuar kryesisht nga Tregtia me shumicë, e cila shënoi rritje me 6,70 %.


MË SHUME NGA Ekonomi