Telekomi i Kosovës po përballet me rrezikun e falimentimit
Majlinda Doda, Radio Kosova
Telekomi i Kosovës po përballet me rrezikun e falimentimit, pasiqë kompania Z-Mobile ka nisur procedurat e përmbarimit, për inkasimin e mjeteve prej mbi 25 milionë euro.
Për qeverinë e Kosovës situata e krijuar është mjaft shqetësuese. Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj , Haki Shatri tha për Radio-Kosovën, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes dy kompanive për rinegociim të situatës, atëherë qeveria do të mblidhet për të gjetur një zgjidhje për të dal nga kjo situatë.
Situata e krijuar në Telekomin e Kosovës pas dërgimit të çështjes tek përmaruesit privat nga kompania Z-Mobile, është shqetësuese për qeverinë e Kosovës. Megjithatë, këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Haki Shatri tha për Radio-Kosovën, se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes dy kompanive për rinegociim të kësaj cështjeje, atëherë qeveria do të mblidhet për të gjetur një zgjidhje për të dal nga kjo situatë e jashtëzakonshme. Ai shtoi se për raste të tilla, qeveria ka një kontingjent rezervë.
“Qeveria pret, që bordi t’i kryej veprimet e veta. Ne nuk përziemi drejt për drejt. Ne rast se vjen deri te një përkeqësim i situatës, qeveria duhet të merr veprimet e nevojshme. Kur është aprovuar bugjeti, ky problem nuk ka egzistua, por në buxhet është një shumë e mjeteve që janë të ndara si kontingjente për raste të jashtëzakonshme dhe normalisht nëse vjen deri te ajo situatë, duhet me vepruar”.
Ndërkohë, përfaqësuesi i sindikatës së punëtore të PTK-së, Lahmi Balaj tha për Radio Kosovën se veprimet e kompanisë, Z- mobile janë një lloj presioni sa t’iu vazhduar kontrata me PTK-në. Ky krim duhet të ndalet, tha Balaj, duke thënë se nëse ndodh një bllokim i xhirollogarive të punëtorëve të PTK-së, do të marrin masa të rrepta.
“Kjo është papranueshme dhe kam kërkuar dhe kërkojë që me u ndalu ky krim i organizuar që i ka ndodh Telekomit. Në asnjë mënyrë nëse dikush me i blloku xhirollogaritë, do të bëhet një kaos social sepse janë në pyetje 3 mijë 500 familje, dhe të tillët kur mbesin pa paga, pa ushqim atëherë telashe ka me pas të mëdha, edhe institucionet edhe ata që tentojnë me blloku xhirollogarinë. Por unë besoj që shtetit nuk ka me lejuar me ndodh një gjë e tillë”.
Ndryshe, në një komunikatë për media nga Bordi i Telekomit të Kosovës, thuhet se duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ndodhet Telekomi gjasat janë minimale për të kryer një transaksion prej 25 milion e 900 mijë eurosh. Ndërsa ka paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore që të prapësohet ky propozim përmbarimi.























