Dështimi i ndërtimit të TC “Kosova e Re`, me pasoja të mëdha për Kosovën
BKT
Ekonomi

Dështimi i ndërtimit të TC “Kosova e Re`, me pasoja të mëdha për Kosovën

RTKlive

Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik që vjen nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), Valdrin Lluka, tha se në rast se do të dështojë Termocentrali “Kosova e Re”, meqë ka kundërshtime të shumta qoftë nga shoqëria civile dhe analistët pasojat do të jenë të mëdha.

"Pasojat do të jenë të mëdha nëse dështon projekti i termocentralit ‘Kosova e Re’. Ne jemi dëshmitarë që bizneset kanë humbje të mëdha për shkak të energjisë jostabile, qytetarët kanë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe kjo ndodh për shkak të paparashikueshmërisë së energjisë elektrike nga termocentralet aktuale", tha ai për gazetën "Epoka e re".

Sipas tij Termocentrali ‘Kosova A’ është ndërtuar në vitin 1962 dhe ai termocentral duhet të jetë një muzë dhe jo termocentral operues, sepse është jashtëzakonisht i vjetër.

"Punëtorët që punojnë në këtë termocentral janë heronj pasi e mbajnë gjallë atë termocentral. Bazuar në të dhënat e prodhimit të këtij termocentrali shihet se prodhon vetëm për gjysmën e kohës, 40 deri në 50 për qind është aktiv dhe nuk ka mundësi më shumë. Ky termocentral nuk ka stabilitet në prodhim dhe normalisht ndodh shpesh të ndalet dhe mos të operojë, pra shkakton ndërprerje të menjëhershme të energjisë derisa të gjendet mundësia e importimit. Ne kemi nevojë për zëvendësim të kapaciteteve energjetike në vend, pra mbylljen e Termocentralit ‘Kosova A’ dhe aktivizimin me kapacitete të reja që janë më fleksibile dhe shumë më ekonomike dhe efeciente. Termocentrali ‘Kosova e Re’ i harxhon një ton thëngjill për një megavat prodhim, kurse ‘Kosova A’ rreth 1.8 ton. Nga kjo mund të kuptohet se sa mund të ketë kursime sa i përket konsumit të thëngjillit. Mendoj se termocentrali ‘Kosova e Re’ duhet të vazhdojë. Nuk do të ishte problem numri i votave për ta kaluar në Kuvend, pavarësisht situatës aktuale politike", tha ai.


MË SHUME NGA Ekonomi