Efektet nga TVSH, biznesi nxiti evazionin për të mbijetuar
Të ardhurat nga TVSH e brendshme për 6-mujorin e parë të vitit ishin rreth 17 miliardë lekë, me një rënie të ndjeshme prej 12.7%. Shqetësimi i FMN-s dhe ekspertëve u vërtetua, ndërsa tregu nuk u disiplinua
Në muajin prill të vitit të kaluar, qeveria mori vendimin që të ulte pragun e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për bizneset nga 5 në 2 milionë lekë. Ky vendim preku direkt rreth 13 mijë biznese, që u futën në skemë, ndërsa rreth 60 mijë të tjera ishin në potencial për të hyrë, pasi kufiri vjetor i qarkullimit vjetor që të bënte subjekt TVSH-je ishte aq i ulët sa mjaftonte deklarimi i 5,500 lekëve në ditë për të kaluar në TVSH. Ky vendim u kundërshtua hapur nga Shoqatat e Biznesit të Vogël, e cila shqetësohet për efektet që do sillte të bizneset barra e shtuar e taksës dhe kostove të tjera administrative, ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ky i fundit theksoi disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave. Por, qeveria nguli këmbë se arsyeja nuk ishte të rriste barrën për subjektet e vogla, por që të disiplinonte zinxhirin e tregtisë dhe të nxiste lëshimin e faturave. Një vit më pas, të dhënat e buxhetit faktit tregojnë se shqetësimi i FMN-s dhe ekspertëve u vërtetua, ndërsa tregu jo vetëm nuk u disiplinua, por përkundrazi evazioni u rrit. Të ardhurat nga TVSH e brendshme për 6-mujorin e parë të vitit ishin rreth 17 miliardë lekë, me një rënie të ndjeshme prej 12.7% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare. Në raport me planin, të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 20% më pak, ose 3.7 miliardë lekë (30 milionë euro) të munguara në buxhet në raport me parashikimin fillestar.
Pragu
TVSH-ja ka qenë zëri me rendimentin më të keq në buxhet në 6 muajt e parë të vitit dhe ka qenë një nga arsyet kryesore të mos realizimit të planit me rreth 30 milionë euro për periudhën janar-qershor 2019. Teksa rreth 60 mijë subjekte të vogla tentojnë të mos hyjnë në TVSH, pasi një gjë e tillë do u rriste kostot, kontabilistët pohojnë se në shumë raste ata nuk pranojnë të marrin fatura, duke rritur informalitetin. Bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë deri në 1 prill të vitit 2018 kanë qenë të përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Pas kësaj date, ata që bëjnë më shumë se 2 milionë lekë xhiro, e paguajnë. Në rastet kur biznesi konsiston në shërbime profesionale, të tillë si avokatë, ekonomistë etj., TVSH mbahet nga niveli zero. Kostoja reale e shtuar për biznesin e përfshirë në TVSH, përveç kostos së administrimit dhe raportimit të këtij tatimi, varet shumë nga lloji i biznesit dhe nga “vlera e shtuar”. Një dyqan lagjeje që zakonisht ka norma shumë të ulëta fitimi bruto, fjala vjen, 10%, do të duhet të paguajë TVSH për këtë “vlerë të shtuar bruto”, gjë që do t’ia rrisë kostot e të bërit biznes me 2%. Dhe në rast se je një lokal, ku marzhi i fitimit bruto është më i lartë, për shkak se kostoja kryesore nuk është malli i shitur por shërbimi, kostoja e TVSH-së do të jetë më e lartë. Nëse një lokal ka marxh bruto fitimi prej 50%, TVSH-ja e tij do të jetë sa 10% e xhiros. Por më shumë do të vuajnë bizneset që kanë pak ose aspak furnizime me TVSH. Një riparues makinash, i cili shet punën e tij, ka furnizime me TVSH minimale, fjala vjen, ka një faturë dritash a faturë uji. Këtij riparuesi makinash, në rast se bën xhiro mbi 2 milionë lekë, do t’i duhet të paguajë TVSH thuajse të plotë në masën 20%. Problemi është se në të njëjtin treg mund të jenë dy tregtarë, njëri me xhiro nën 2 milionë dhe një tjetër me xhiro mbi 2 milionë. Kjo është një nga ato lloj situatash që ligji aktual i TVSH-së dhe qeveria nuk e shpjegon se çfarë do të ndodhë. Nëse një riparues makinash detyrohet të shesë shërbimet e veta me TVSH ndërsa komshiu i tij i shet pa TVSH, kuptohet se ky i pari do të mbetet efektivisht pa biznes, pasi të jetë detyruar të shesë të njëjtin shërbim 20% më shtrenjtë. Problemi është se në tatimet shqiptare është shumë e lehtë të kalosh nga biznes i vogël në biznes i madh dhe shumë e vështirë të ndodhë e kundërta, të kalosh nga biznesi i madh në biznes të vogël. Më 1 prill, tatimet kaluan automatikisht në regjimin e TVSH-së rreth 10 mijë biznese. Kriteri i vetëm i ndryshimit ishte që këto biznese të kishin deklaruar xhiro mbi 2 milionë lekë të kryer gjatë vitit të kaluar. Tatimet normalisht do të duhet të kontrollojnë të gjithë ato biznese që kanë deklaruar xhiro nën 2 milionë lekë për të parë se sa prej tyre kanë gënjyer vetëm me synimin për të mos hyrë në regjimin e TVSH. Aktualisht në Shqipëri ka rreth 70 mijë biznese të vogla. Tatimet nuk kanë mundësi as në ëndërr t’i kontrollojnë këto të gjitha sepse në Shqipëri ka gjithsej rreth 1,500 punonjës tatimorë. Por edhe ato biznese që kanë hyrë për herë të parë në regjimin e TVSH, në kushtet e pabarazisë së taksimit me konkurrentët e tyre pa TVSH do të jetë e lehtë që të mos deklarojnë një pjesë të shitjeve apo të blejnë pa fatura shoqëruese për të rifituar aftësinë konkurruese. Tatimorët vështirë se janë në gjendje të kontrollojnë në kohë reale mbi 30 mijë biznese që tashmë janë në regjimin e TVSH-së.
FMN: Rishikoni sërish pragun
Në një raport të fundit, FMN i ka kushtuar vëmendje uljes së pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që filloi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar. Sipas analizës Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e zgjerimit të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo rriti me gati një të tretën bizneset në TVSH. Fondi ka theksuar se menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi krijon një barrë të shtuar në DPT, kundrejt një kthimi të ulët, sa i përket rendimentit të të ardhurave. Gjithashtu sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor. “Masa e fundit për uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 5 lekë 2 milionë duhet të rishqyrtohet” rekomandoi FMN në kuadër të disa rekomandimeve që synojnë të përmirësojnë efektivitetin e tatimit.
Tregu i fluturimeve
Tregu i transportit ajror të pasagjerëve e mbylli me rritje gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në gjashtë muaj numri i udhëtarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ishte më shumë se 1.4 milionë. Krahasuar me 6-mujorin e vitit të kaluar, numri i pasagjerëve është rritur me 11%. Vetëm për qershorin, nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit u regjistruan 311 mijë udhëtarë. Tregu i transportit ajror po përmirësohet për të tetin vit radhazi, i shtyrë nga rritja e vazhdueshme e turizmit hyrës dhe dalës nga Shqipëria. Për gjashtë muajt e parë të këtij viti, u regjistruan 2.1 milionë hyrje të shtetasve të huaj dhe 2.7 milionë dalje të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Në aeroportin e Tiranës veprojnë aktualisht 21 kompani ajrore, që për gjysmën e parë të këtij viti kryen pothuajse 13 mijë fluturime. Megjithatë, potencialet e rritjes së tregut janë edhe më të mëdha, por çmimet e larta të biletave nuk lejojnë shfrytëzimin e plotë të këtyre potencialeve. Shumë shqiptarë zgjedhin aeroportet e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për të fluturuar drejt Europës. Ndërkohë, këtë vit po vërehet edhe një përmirësim në tregun e transportit detar të udhëtarëve, që vitin e kaluar ishte në rënie. Për 6-mujorin e parë 2019, numri i pasagjerëve në transportin detar arriti në 483 mijë, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë.























