Masat e taksës ndaj produkteve maqedonase, në favor të bizneseve
BKT
Ekonomi

Masat e taksës ndaj produkteve maqedonase, në favor të bizneseve

Majlinda Doda

Masat e taksës mbrojtëse ndaj Maqedonisë Veriore për disa produkte, vetëm sa dëmtojnë ekonominë e vendit, vlerësojnë njohës së çështjeve ekonomike. Ndërkohë përfaqësues të bizneseve theksojnë se kjo formë, tregon për seriozitetin e shtetit të Kosovës, në favor të bizneseve kosovare.

Masat e reciprocitetit për disa produkte që importohen nga Maqedonia Veriore në Kosovë, nuk po shihen produktive për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë për Radio Kosovën se këto masa në një kohë kur qeveria është në dorëheqje, nuk janë aspak në interes të shtetit të Kosovës dhe avancimit të raporteve fqinjësore në rajon.   

“Taksat e tilla nuk i bëjnë nderë ardhmërisë së Kosovës, sidomos me vendet fqinjë çfarë është Maqedonia. Më shqetësuese është fakti, sesi mund të vihen masat të tilla nga një qeveri në dorëheqje, pa një dialog të mirëfilltë dhe a është qëllimi vetëm të dëmtohet Kosova, apo vërtet të rritet popullizmi mbi kalkulim për përfitim të votave. Ekonomikisht nuk mund të ketë efekte pozitive për Kosovën nga vet fakti se janë dy produkte të cilat në Kosovë mund të gjinden”, shtoi ai.

Ndërsa, për përfaqësuesit e bizneseve, kjo masë është e mirëpritur. Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, thotë për Radio Kosovën, se kjo masë është më tepër paralajmëruese, sesa ndëshkuese.

“Kjo masë Kosovën e bënë edhe më të fuqishme se nuk do të ketë mëshirë ndaj askujt që i bënë Kosovës probleme ndaj eksporteve të produkteve të veta.  Kjo nuk do të ndikojë në ekonominë e vendit, përkundrazi do të ndikojë keq në ekonominë e Maqedonisë Veriore nëse nuk gjen rrugëdalje”, tha ai.

Sidoqoftë, ditë më parë  Kosova vendosi taksa për patatet dhe mjaltin, por edhe ndalesë për hyrje të disa produkteve të tjera, për shkak se Maqedonia e Veriut,  para dy muajve i vendosi Kosovës barrierë tarifore për rasatin e peshkut, vezët e peshqve dhe peshqit e vegjël.

Sot në Maqedoni Veriore, pritet takim urgjent mes Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Bujqësisë në Maqedoni, në të cilin pritet të diskutohet për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Kosovës, e cila rriti taksat për patatet dhe mjaltin e Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar ka eksportuar rreth 40 deri 1 mijë tonë patate në Kosovë, ndërsa vlera e mjaltit të eksportuar në Kosovë arrin rreth 400 mijë euro.

 

 

 


MË SHUME NGA Ekonomi