Kreditë e të gjithë sektorëve ekonomik në Kosovë shënuan rritje
RTKlive
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se asetet e sektorit mikrofinanciar arritën në 250.0 milionë euro dhe shënuan rritje vjetore prej 30.0 përqind.
"Vlera e aseteve të sektorit mikrofinanciar në vitin 2018 kryesisht i atribuohet rritjes së kredive bruto, aktivitet që kryesisht financohet nga huamarrjet në sektorin e jashtëm. Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar vazhdon të dominohet nga kreditë bruto (73.5 përqind), pasuar nga lizingjet", thuhet në raportin e BQK-së, raporton RTKlive.
Kreditë e të gjithë sektorëve ekonomikë shënuan rritje, por ritmi i rritjes ishte më i ulët krahasuar me vitin paraprak. Rritjen më të lartë e kishin kreditë e dedikuara për sektorin e industrisë pasuar nga kreditë për sektorin e tregtisë dhe bujqësisë.
Lizingjet, si kategoria e dytë për nga pesha në strukturën e aseteve të sektorit mikrofinanciar, shënuan rritje vjetore prej 43.2 përqind në vitin 2018 dhe arritën vlerën prej 38.1 milionë euro
Aktiviteti kreditor i sektorit mikrofinanciar gjatë vitit 2018 shënoi rritje vjetore prej 27.7 përqind, ku vlera e kredive arriti në 183.8 milionë.
Dinamikat në zhvillimet e aktivitetit kreditor të sektorit pasqyruan kryesisht ecuritë pozitive të kreditimit ndaj ekonomive familjare, si kategori me pjesëmarrje prej 66.0 përqind të gjithsej kreditimit të sektorit. Kreditë ndaj ekonomive familjare shënuan rritje vjetore prej 31.7 përqind duke arritur vlerën prej 121.4 milionë euro. Ndërsa kreditë ndaj ndërmarrjeve, me një pjesëmarrje prej 34.0 përqind në gjithsej kreditë e sektorit, u rritën për 20.6 përqind duke arritur vlerën prej 62.4 milionë euro.























