SHIFK dhe ASHMDHP diskutojnë për qasjen dhe sigurinë e të dhënave personale
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Inovacionit Financiar të Kosovës (SHIFK) Venhar Hana është pritur në takim nga Drejtori i Zyrës Ligjore të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Valon Kryeziu.
Në takim, Hana ka diskutuar lidhur me mundësitë ligjore dhe teknike të cilat aktualisht janë, për të mundësuar që përmes pëlqimit të konsumatorëve të dhënat personale të mund të përdoren nga institucionet financiare në vend.
“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili do të pranojë shërbime financiare nga institucionet financiare të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës, duhet të ketë mundësinë që në mënyrë sa më të saktë, të shpejtë e të lehtë të jetë të mundur, t’i lejojë instituticionit financiar marrjen e të dhënave personale nga Regjistri Civil dhe përdorimin e tyre sipas qëllimit të caktuar e të lejuar me ligj”.
Në anën tjetër, Kryeziu ka theksuar se: “Në bazë të Ligjit në fuqi për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili është i adoptuar në harmoni të plotë me Direktivën Evropiane, çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtën e përdorimit dhe autorizimit të palëve të treta për përdorimin e atyre të dhënave, sipas autorizimit përkatës dhe qëllimit për të cilin jipet ky autorizim”.
Palët janë dakorduar që në periudhën në vijim, të zhvillohen takime të tjera lidhur me këtë temë, ku në diskutim duhet të përfshihen edhe Agjencioni i Regjistrit Civil të Kosovës si dhe shoqatat tjera që përfaqësojnë bankat dhe institucionet financiare jobankare në Republikën e Kosovës.























