Rukiqi: Kërkesat e bizneseve, luftimi i informalitetit e rritja e eksportit
Arbenita Marmullaku
Luftimi i informalitetit, rritja e eksportit dhe reforma në edukim që i adreson nevojat e tregut të punës, do të duhej të ishin tri prioritetet kryesore për qeverinë në ardhje. Kështu bëri të ditur Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rrukiq, i cili foli në emër të kërkesave të biznesit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rrukiqi, tha se kërkesat e bizneseve në vitet e fundit janë luftimi i informalitetit, rritja e eksportit dhe reforma në edukim. Ai tha se këto tri pika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të vendit.
“Informaliteti po ndikon në konkurrentshmërinë e bizneseve, eksporti apo rritja e eksportit do të adresonte deficitin tregtar dhe do të kishte ndikim në rritjen ekonomike dhe pastaj në punësim. Në të njëjtën kohë çështja e edukimit është një nga faktorët me më ndikim në aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve apo bizneseve tona”, tha Rukiqi.
Drejtori i Kompanisë konsulente D&D Business Support, Safet Fazliu, tha se për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik rol të rëndësishëm luan edhe pozicioni politik në rajon dhe më gjerë.
“Një tjetër aspekt për një zhvillim të qëndrueshëm, padyshim që është edhe pozicioni politik i Kosovës në rajon dhe më gjerë për t’i lehtësuar dhe mundësuar qasjen në eksport si në BE ashtu edhe me vende e tjera që kjo ndërlidhet edhe me liberalizimin e vizave”, tha Fazliu
Ai tha se sundimi i ligjit ndikon në zhvillimin ekonomik, sepse sektori privat kërkon një ambient të sigurt ligjor i cili mundëson zhvillimin e qëndrueshëm. Fazliu shtoi se edhe arsimi duhet të prodhojë kuadro profesionale duke i përmbushur kërkesat e tregut të punës.
Ndërkaq Oda e Afarizmit të Kosovës u ka dërguar të gjitha partive politike disa propozime për ndryshime që duhet t’i bëjë qeveria e ardhshme e Kosovës. Kërkesë ishte që Kosova të largohet nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si Republikë e Kosovës, të ndryshohen Ligji për Tregti të Brendshme, Ligji i Punës, Ligji për Miniera dhe Minerale, lirimi i plotë nga taksat i lëndës së parë dhe pajisjeve për prodhim si dhe të kthehet Gjykata Ekonomike dhe bordi i pavarur i ankesave.























