Ngadalësimi ekonomik botëror po përkeqësohet me kohën

Ngadalësimi ekonomik botëror po përkeqësohet me kohën

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pati një ecuri negative këtë muaj, me të dhënat që tregonin se ngadalësimi kishte filluar.

Por tani ekonomistët thonë se pritshmëritë do të përkeqësohen edhe më tej. Shoqata Kombëtare e Ekonomisë së Biznesit, në një studim publikuar të hënën ka theksuar se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto e SHBA-së vitin e ardhshëm do të bjerë nën 2 për qind për herë të parë që nga viti 2016. Në anketën e mëparshme, pritshmëria për vitin e ardhshëm ishte 2.1 për qind, ndërsa tani ajo ka rënë në 1.8 për qind.

Edhe pse 54 ekonomistë të anketuar nuk presin akoma një recesion të afërt, parashikimi rreth ngadalësimit nuk është më thjesht pritshmëri. Tani ai është realitet dhe ka të ngjarë të zgjasë gjatë.

Javën e kaluar, një raport i Institutit për Menaxhimin e Furnizimit theksoi se sektori i prodhimit u kontraktua për muajin e dytë radhazi në muajin shtator. Madje indeksi që mat rritjen mujore të industrisë regjistroi nivelin më të ulët që prej muajit qershor 2009. Edhe sektori i shërbimeve u ngadalësua. Për pasojë, të dhënat e raportit, me ecuri kaq negative bënë investitorët të pyesin nëse Rezerva Federale do të rritë përsëri stimulin monetar me uljen e mëtejshme të normave të interesit.

Megjithatë, kur vihet në perspektivë, ekonomia nuk është në gjendje të keqe. Për shembull, vërtet në muajin shtator u hapën më pak punë sesa pritej, ama Amerika është afër punësimit të plotë. Madje ka kuptim pse rritja e vendeve të punës po ngadalësohet: me shkallën e papunësisë në 3.5 për qind më e ulëta që nga muaji dhjetor 1969, nuk ka mjaft njerëz në dispozicion për të mbushur pozicionet e hapura.

Edhe sipas kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, ekonomia është ende relativisht mirë. Ky është zgjerimi më i gjatë i ekonomisë amerikane dhe po vazhdon ende, thjesht me një ritëm më të ngadaltë.

Rezerva Federale ka rritur normat e interesit dy herë deri tani, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike. Por në vend ka ende shumë pritshmëri për politika monetare edhe më lehtësuese në pjesën e mbetur të vitit 2019. E gjitha kjo ka ndarë edhe ekonomistët në vend. 40 për qind e tyre parashikojnë një ulje tjetër të normës këtë vit, ndërsa tre e katërta e tyre presin një ulje të normës deri në fund të vitit 2020. Nga ana tjetër, sipas pritshmërive të tregut, ka një shans prej 78 për qind për një ulje tjetër me 25 për qind këtë muaj dhe një mundësi gati 90 për qind për muajin dhjetor.


MË SHUME NGA Ekonomi