Panairi “AGROKOS” mbledh 110 kompani të agrobiznesit vendor e të huaj
Majlinda Doda, Radio Kosova
Për të nëntëmbëdhjetën herë në Prishtinë, sot do të hapet panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit “Agrokos”. Për tre ditë me radhë, në sallën ”1 Tetori”, ku mbahet panairi, do të marrin pjesë shumë kompani të agrobiznesit vendor, nga Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Austria.
Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit “Agrokos”, tashmë tradicional edhe këtë vit mbledh 110 kompani të agrobiznesit vendor, nga Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Austria. Organizatori i këtij panairi, Bekim Xhafa tha për Radio Kosovën se qytetarët këtë herë kanë mundësi të kenë afër dhe të shijojnë produkte të cilat janë të certifikuara nga institutet për produkte organike.
“Kemi sjellë një pavijon të produkteve organike, nevoja dhe trendët në nivel global janë duke shkuar në atë drejtim që ushqimi për çdo ditë e më shumë ka kërkesë që të jetë ushqim organik, edhe në Kosovë, po fillojmë që të kemi, të krijojmë dhe të kultivojmë ushqim organik dhe të rritet përqindja e konsumatorëve të cilët ushqehen me produkte organike”.
Pjesë e këtij panairi janë edhe kompani që merren me paketimin dhe ambalazhimin e produkteve bujqësore. Xhafa tha se ky panair është pikëtakim i bizneseve vendore me ato ndërkombëtare.
“Panairi “AGROKOS” është shndërruar vërtetë në një pikëtakim të bizneseve të cilat e targetojnë Ballkanin, vinë në dhe prej aty shpërndahen në Ballkan dhe bizneset që janë brenda në Kosovë dhe duanë me u shtri jashtë Kosovës, kjo lidhje ka ndikuar që AGROKOS t’i bëjë 19 vjet dh me qenë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare”.
Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS”, do mbahet nga data 23-25 tetor, në sallën 1 Tetori në Prishtinë, dhe hyrja është falas.























