Rajoni numëron 2 nga 20 vendet me performancën më të mirë në botë
Ekonomitë në Evropë dhe Azinë Qendrore përshpejtuan dinamikën tashmë të madhe për të përmirësuar klimat e tyre të biznesit, duke zbatuar 56 reforma dhe duke udhëhequr globalisht në reformat në fushën e pagesës së tatimeve dhe përmbarimit të kontratave, thotë studimi i Bankës Botërore Të Bërit Biznes 2020.
Evropa dhe Azia Qendrore numërojnë dy nga 20 vendet më të mira në botë për të bërë biznes - Gjeorgjia (e 7-ta) dhe Maqedonia e Veriut (e 17-ta). Taxhikistani renditet në dhjetë ekonomitë më të përmirësuara në botë në periudhën 12-mujore deri më 1 maj. Azerbajxhani, Kirgizia, Kosova dhe Uzbekistani dolën ndër 20 ekonomitë më të përmirësuara në mbarë botën.
“Ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore vazhdojnë të shënojnë progres të ndjeshëm në mundësimin e ndërmarrësisë dhe promovimin e rritjes ekonomike,” tha Santiago Croci Downes, Menaxher Programi i Njësisë për Të Bërit Biznes. “Me rritjen e hovit të reformave, ekonomitë që kanë mbetur prapa mund të mësojnë nga praktikat e mira të adoptuara nga fqinjët e tyre.”
Rajoni zbatoi numrin më të madh të reformave në mbarë botën në fushën e pagesës së tatimeve (nëntë), meqenëse 22 ekonomi në rajon tani lejojnë paraqitjen elektronike të tatimeve, dhe në fushën e përmbarimit të kontratave (gjashtë), meqenëse Evropa dhe Azia Qendrore është rajoni me sistemin më efikas gjyqësor për lëndë komerciale. Ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore gjithashtu shquhen për nga lehtësia e regjistrimit të pronës: transferimi i pronës kushton mesatarisht sa 2.7% e vlerës së pronës, më pak se mesatarja prej 4.2% në mesin e ekonomive të OECD me të ardhura të larta.
Evropa dhe Azia Qendrore gjithashtu kanë performuar mirë në planin afatgjatë, meqë shumë vende kanë ulur kërkesat minimale të kapitalit dhe kanë përmirësuar sistemet e raportimit kreditor gjatë 17 viteve të studimit të Të Bërit Biznes.
Taxhikistani e përmirësoi rezultatin e vet falë reformave në fushat e fillimit të biznesit, tregtisë ndërkufitare dhe marrjes së kredive. Për shembull, qeveria e Taxhikistanit mundësoi që eksportet e mallrave që prishen të zhdoganohen më shpejt dhe forcoi qasjen në kredi duke ngritur një regjistër bashkëkohor të kolateralit.
Federata Ruse zbatoi tri reforma gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë përshpejtimin e procesit të furnizimit me energji elektrike dhe thjeshtimin e pajtueshmërisë me rregullat tatimore. Investitorët pakicë përfituan nga përshkallëzimi i masave mbrojtëse për shkak të kërkesave më të mëdha të transparencës së korporatave.
Serbia dhe Ukraina zbatuan nga gjashtë reforma secila. Të dyja këto ekonomi i bënë më të lehta proceset e trajtimit të lejeve të ndërtimit dhe furnizimit me energji elektrike dhe forcuan të drejtat e investitorëve pakicë. Serbia e bëri më të lehtë pagesën e tatimeve ndërsa Ukraina krijoi një regjistër të ri publik të kredive dhe rriti transparencën e sistemit të administrimit të tokave.
Rajoni pati performancë nën nivel në fushat e trajtimit të lejeve të ndërtimit dhe furnizimit me energji elektrike. Pajisja me lejet e nevojshme të ndërtimit merr mesatarisht 170 ditë në rajon, krahasuar me 152 ditë në ekonomitë e OECD me të ardhura të larta. Ngjashëm, lidhja e një depoje të re me rrjetin në Evropë dhe Azinë Qendrore zgjat mesatarisht pothuajse 100 ditë, 25 ditë më shumë sesa midis ekonomive të OECD me të ardhura të larta.
Ndërsa shumica e ekonomive të rajonit vazhdojnë t’i zbatojnë reformat me ritëm stabil, disa ekonomi ende mbeten prapa. Bullgaria ka zbatuar një reformë të vetme për të përmirësuar klimën e saj të biznesit në pesë vitet e fundit, ndërsa gjatë kësaj periudhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi kanë zbatuar tri dhe katër reforma, përkatësisht.























