Hapet Festivali i Gjelbër
Festivali i Gjelbër po vjen me 30 dhe 31 Tetor! Edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër do të mbahet në datat 30 dhe 31 tetor në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.
Për tri edicione me radhë ky festival është organizuar nga USAID Empower Private Sector, ku edicioni i tretë është organizuar në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve të Kosovës.
Ndërsa nga edicioni i sivjetmë, ky projekt implementohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.
Koncepti i Festivalit të Gjelbër është në përputhshmëri me punën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, ku objektivat kryesore të Klubit janë promovimi i produkteve “Made in Kosova” si dhe në përputhje me strategjinë bazë të Klubit e cila përfshinë punësimin, diplomacinë ekonomike, energjinë dhe ambientin. Festivali do të ofrojë platformë rrjetëzimi për bizneset e gjelbra, agjencitë qeveritare, dhe të gjithë akterët relevantë të energjisë së gjelbër.
Në këtë ngjarje dy ditore, rreth 45 kompani vendore do t’i ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në Pavijonin e Gjelbër .
Këtë vit risi do të jetë prezantimi i kompanive ndërtuese me projekte dhe ide inovative të lagjeve moderne që promovojnë jetesën efiçiente 'Green'.
Edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër do të fokusohet në: Teknologjinë e gjelbër dhe inovative Energjinë e ripërtërishme Urbanizimin e qëndrueshëm, ndërtimin dhe dizajnin Mbrojtjen e ambientit.























