Punëtorët e “Infrakosit”, me vonesë, do ta marrin pagën e tetorit
BKT
Ekonomi

Punëtorët e “Infrakosit”, me vonesë, do ta marrin pagën e tetorit

Pajtim Çuni, Radio Kosova

Punëtorët e “Infrakosit”, ndonëse me vonesë, shumë shpejt do ta marrin pagën e tetorit. Marrëveshja për këtë është arritur ndërmjet  Sindikatës së Pavarur dhe menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje.

 Zyrtarë të sindikatës paralajmërojnë grevë nëse marrëveshja nuk respektohet. Ndërsa në menaxhment thonë se pagat do të jepen me kohë, ndërkohë që nga qeveria kërkojnë përmbushjen e obligimeve ligjore.

Ditën e punës së tetë nëntorit e filluan me protestë njëorëshe, punëtorët e “Infrakosit”, që kërkonin pagat e shtatorit dhe tetorit por edhe kushte më të mira të punës. Punëtorët paralajmëruan vazhdimin e protestës dhe mundësinë e paralizimit të transportit hekurudhor. Por, të njëjtën ditë, sindikata, arriti një ujdi me menaxhmentin për pagat. Kryesindikalisti i "Infrakosit", Hysen Nikqi, tregon për Radio Kosovën se punëtorët kanë marrë pagën e shtatorit dhe po presin edhe atë të tetorit. Por, nëse marrëveshja nuk zbatohet, Nikqi thotë se mund të hyjnë në grevë.  

“Pas marrëveshjes që arritëm me menaxhmentin, na është premtuar që deri me datën 20 do ta marrim edhe pagën e tetorit. Afati është që deri në këtë datë të realizohen kërkesat pjesërisht. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë të gjithë punëtorët janë të vendosur të futen në grevë deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre”, tha ai. 

Nikqi thotë se përveç pagës, kërkesë tjetër është edhe pagesa e Trustit, që sipas tij, nuk është bërë nga shkurti i viti 2017, ndonëse punëtorëve u është ndalur 5% nga paga.

Kryeshefi ekzekutiv i “Infrakosit”, Agron Thaçi, thotë se është i interesuar që në bazë të marrëveshjes të përmbushë kërkesat e punëtorëve. Për këtë pret mbështetje nga Qeveria, e cila thotë se i ka borxhe “Infrakosit”.

“Në marrëveshje jam zotu që deri më 20 nëntor do të shlyejmë edhe pagën e tetorit, në mënyrë që të jemi zero-zero me punëtorët. Por, ne kemi edhe obligime të tjera, është Trusti, ATK-ja. Edhe këtu kemi arritur një marrëveshje duke ndarë me këste pagesën e borxhit. Presim nga Qeveria që të na mbështesë që këto obligime t’i kryejmë. Përndryshe, nëse Qeveria nuk i kryen obligimet ligjore që i ka ndaj “Infrakosit”, ne prapë do të bllokohemi”, thotë Thaçi.     

Kryeshefi i “Infrakosit” thotë se kjo ndërmarrje me sfida përballet prej vitesh, si pasojë e borxheve që ia kanë të tjerët. Sipas Thaçit, “Infrakosit” Qeveria ia ka borxh 10 milionë euro, “Trainkosi” 1.2 milion euro dhe Telekomi i Kosovës mbi 500 mijë euro.

 


MË SHUME NGA Ekonomi