Rritja ekonomike e Kosovës e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të punës

Rritja ekonomike e Kosovës e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të punës

“Rritja ekonomike mesatare e Kosovës brenda dy viteve të fundit është rritur 3 për qind deri 4 për qind, por që nuk është e mjaftueshme për rritjen vendeve të punës”, kështu ka thënë zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang.

Zhang gjatë fjalimit në 20-vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës, shtoi se Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar dhe mungesë të investimeve të huaja.

“Rritja ekonomike mesatare e Kosovës brenda dy viteve të fundit është rritur 3 për qind deri 4 për qind, por që nuk është e mjaftueshme për rritjen vendeve të punës. Ne shohim deficit të lartë tregtar dhe deficit të lartë në investimet e huaja direkte. Remitancat, eksporti dhe tregtia duhet të përmirësohen në mënyrë që Kosova ta ketë një zhvillim të qëndrueshëm. Duhet të ketë kujdes në shpenzimet qendrore”, tha Zhang.

Në një fjalim rasti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ky institucion është një tregim suksesi për rajonin.

Lexo po ashtu:

BQK shënon 20-vjetorin me një konferencë ndërkombëtare

“Më shpalljen e pavarësisë filloi një reformë e re për Kosovën dhe që atëherë BQK-ja ka shënuar stabilitet financiar. Në këtë rrugëtim mund të them se BQK-ja është tregim suksesi në gjithë rajonin”, tha Thaçi.

Ndërsa, guvernatori Fehmi Mehmeti tha se BQK ka vënë bazën e shtet-ndërtimit me themelimin e saj.

“BQK-ja është institucion i ri krahas angazhimeve të mëdha për organizimin nga e para, filloi së angazhuari për ndërtimin e infrastrukturës financiare për fillimin e sistemit financiar në Kosovë. Në këtë mënyrë BQK-ja shumë shpejt filloi aktivitetin për ndërtimin e sistemit të pagesave, formulimin e kornizave për sektorin financiar”, tha Mehmeti.

Përveç fjalimeve të drejtuesve të lartë të shtetit, të BQK-së dhe të institucioneve ndërkombëtare, konferenca do të jetë e ndarë në katër sesione, ndërsa pritet që të prezantohet studimi “Qeverisja Korporative e Bankave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, si dhe do të nënshkruhet Memorandumi i mirëkuptimit në fushën e qeverisjes korporative të bankave.