Këshilli i Investitorëve Evropianë mbështet BQK-në për çmimet e sigurimeve
BKT
Ekonomi

Këshilli i Investitorëve Evropianë mbështet BQK-në për çmimet e sigurimeve

Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE) mbështet veprimet e BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar nga ana e tregut të sigurimeve duke potencuar se sektori i sigurimeve përbën një shtyllë shumë të rëndësishme të sistemit financiar, mirëqenies së qytetarëve si dhe zhvillimit ekonomik. Gjithashtu KIE mbështet edhe rritjen e tarifës pasi që ky veprim ka për qëllim mbështetjen e policëmbajtësit dhe zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori.

Sektori i sigurimeve ka një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e përgjithshme duke mobilizuar kursimet e brendshme dhe gjithashtu mundëson zbutjen e humbjeve, stabilitetin financiar dhe promovon aktivitetet e tregtisë duke rezultuar në rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Në dokumentin vjetor të publikuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë “White Book” është potencuar se sektori financiar dhe në veҫanti sektori i sigurimeve ka nevojë për mbështetje dhe zhvillim të mëtutjeshëm duke konsideruar se ky sektor në Republikën e Kosovës ende mbetet i pazhvilluar.

Industria e Sigurimeve në Kosovë konsiderohet e pazhvilluar. Sektori i sigurimeve përfaqëson vetëm 3% të sektorit financiar. Për më tepër, dy tregues kryesorë tregojnë se Penetrimi (Primi i shkruar /BPVi vlerësuar të jetë 1.4% i BPV, si dhe Dendësia 44 Euro për frymë, këta dy tregues janë më të ulët në rajon, ndërkohë që mbeten larg nga mesatarja e BE-së.

Për më shumë vlerësohet se ka një numër të lartë të automjeteve të paregjistruara dhe të pasiguruara që marrin pjesë në mënyrë aktive në trafik. Kontraktimi i sigurimit të autopërgjegjësisë ndaj palëve të treta dhe regjistrimi i automjetit është i detyrueshëm me ligj. Moszbatimi i këtij ligji ka një ndikim të rëndësishëm negativ në industrinë e sigurimeve e cila tashmë është e diskriminuar rëndë. Këto janë dy mënyrat kryesore në të cilat mos zbatimi i ligjit dëmton industrinë:

a) Regjistrimi i këtyre automjeteve do të rriste premiumin e shkruar nga siguruesit për 5-6 Mil. në vit dhe gjithashtu do të siguronte zbatimin e ligjit.

b) Më tej, duke u privuar nga këto të ardhura, siguruesit duhet të paguajnë dëmet që vijnë nga këto automjete, pasi viktimat e aksidenteve të trafikut të shkaktuara nga automjetet e pasiguruara duhet të kompensohen nga Fondi i Kompensimit dhe Fondi i Kompensimit financohet nga siguruesit.

Në bazë vjetore, industria paguan 3.5-4 Milionë euro dëmet për automjetet e pasiguruara.

c) Në të njëjtën kohë, buxheti i shtetit përjeton humbje në taksa gjithashtu, humbjet vlerësohen në 3 - 3.5 Milionë (c.a).

d) Për më tepër, dhe që është më e rëndësishme se humbjet financiare, kjo çështje ka pasoja sociale pasi këto automjete nuk kalojnë kontrollimet teknike dhe paraqesin rrezik më të lartë për pjesëmarrësit në trafik.

Kjo çështje u evidentua edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2018.

Andaj Këshilli i Investitorëve Evropianë mirëpret dhe mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet për ta rregulluar dhe zhvilluar sektorin financiar dhe sidomos atë të sigurimeve pasi që ky sektor ka ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik drejtpërdrejtë por edhe në rritjen e investimeve të reja vendore dhe të huaja.  Gjithashtu KIE mbështet edhe rritjen e tarifës pasi që ky veprim ka për qëllim mbështetjen e policëmbajtësit dhe zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori.


MË SHUME NGA Ekonomi