Hajdarhoxha: Qytetarët s’duhet të dëmtohen, të pezullohet vendimi
“Merakli t’kerreve” sot kanë protestuar kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen e çmimit për sigurim të veturave. Agan Hajdarhoxha nga “Merakli t’kerreve”, tha sot në IMAZH në RTK se ka disa arsye që po kundërshtohet vendimi i BQK-së.
Ai përmendi edhe kërkesën e kryeministrit në detyrë, i cili ka kërkuar nga BQK-ja informata për vendimin për ndryshim të çmimit të sigurimeve. Ai tha se nuk duhet qytetarët të dëmtohen nëse nuk ka vetura të regjistruara. Sipas tij duhet të kthehet urgjent vendimi i vjetër ose pezullimi i vendimit të ri.
“Ky çmim sipas tij është tepër i lartë kur kihen parasysh pagat të cilat i marrin punëtorët tanë”, tha ai. Sipas tij qytetarët nuk duhet ta kenë breng pse janë të pa regjistruara qindra mijëra vetura në Kosovë. Hajdarhoxha kërkoi që të pezullohet vendimi i BQK-së. “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet tona. Jemi shumë të hapur edhe për media”, tha ai.
Sipas tij ka shumë arsye të mos ketë rritje të çmimit për shkak se sigurimi në Kosovë nuk njihet në shtete të tjera, me përjashtim të Shqipërisë.
“Ne do t’i dorëzojmë pikat e kërkesës tonë në BQK. Ne do të vazhdojmë me kërkesat tona, dhe me protesta”, tha ai.























