`Infrakos` në krizë financiare
Pajtim Çuni, Radio Kosova
Dymbëdhjetë milionë euro janë borxhet që Qeveria, Trainkosi dhe Telekomi i Kosovës, ia kanë Ndërmarrjes “Infrakos”.
Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Agron Thaçi, i tha Radio Kosovës se këto borxhe, po e pengojnë funksionimin e ndërmarrjes, ndërsa është i pa kënaqur edhe me gjykatat, të cilat sipas tij, po vonohen në trajtimin e lëndëve ku palë është Infrakosi.
Ndërmarrja publike për menaxhimin e hekurudhave “Infrakos” nuk është në gjendje të mirë financiare. Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Agron Thaçi, i tha Radio Kosovës se menaxhimi është i mirë, por se kriza në këtë ndërmarrje, është si pasojë e borxheve që të tjerët i kanë ndaj saj.
“Qeveria nuk ia ka dhënë 10 milionë euro “Infrakosit”nga viti 2012. Në anën tjetër, Trainkos, përveç se nuk na sjell transport, ka borxh 1.2 milion. Plus Telekomi i Kosovës na ka borxh mbi 500 mijë euro. Do të thonë ne jemi në minus 12 milionë euro”, tha ai.
Përveç me borxhlinjtë, për të cilët tash do të përballen me përmbarues, Thaçi thotë se është i pakënaqur edhe me gjykatat, që sipas tij, po i shkatërrojnë bizneset, duke u vonuar në ndarjen e drejtësisë.
“I kemi dërguar këto lëndë në përmbarues, sepse, përmbaruesit kryejnë punën e vet, ndërsa gjykatat i neglizhojnë. I lus gjykatat që mos t’i mbajnë lëndët nga dy a tri vite në shqyrtim, por të japin vendimin e merituar dhe mos t’i shkatërrojnë bizneset”, tha ai.
Thaçi thotë se përkundër ndihmës, qeveria si aksionare në “Infrakos”, nuk po e zbaton ligjin, me të cilin obligohet që çdo vit për këtë ndërmarrje të ndajë nga 1.8 milion euro. E nëse nuk përmbushet ky obligim ligjor, kryeshefi ekzekutiv i “Infrakosit”, tha se në mungesë të financave, ndërmarrja mund të ndërpresë punën.
“Do t’i themi edhe qeverisë së re, se në qoftë se nuk akomodohen kërkesat tona dhe nuk ndahet buxheti sipas ligjit, është e pamundur të funksionojë. Ne do të detyrohemi pas pak muajsh edhe me e ndërpre transportin, ashtu edhe e kemi paralajmëruar, sepse nuk mund të mbijetojmë më tepër”, tha ai.
Ndërmarrja “Infrakos”, punëtorët e së cilës protestuan me tetë(8) nëntor në kërkim të pagave të muajve shtator dhe tetor, Administratës Tatimore të Kosovës, ia ka borxh rreth 1 milion euro.























