Rritet kreditimi në sektorin bankar, bankat fituan afër 80 milionë euro
Sharr Travel

Rritet kreditimi në sektorin bankar, bankat fituan afër 80 milionë euro

Rritja e kreditimit në sektorin bankar e përcjellë me zvogëlim të mëtutjeshëm të kredive jo performuese dhe me një rënie të dukshme në normave interesit për kredi, është një kthesë e madhe pozitive për këtë sektor. Fitimi i bankave komerciale për sivjet është rreth 80 milionë euro.

Kështu u tha në  konventën vjetore të Shoqatës së Bankave të Kosovës të mbajtur sot në Prishtinë.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Shoqatës së Bankave në Kosovë, Albert Lumezi me këtë rast ka përshkruar vitin që po lëmë pas me tri karakteristika kryesore sektorin bankar, vit të rritjes së kreditimit dhe qasjes në financa, vit të rritjes së qëndrueshmërisë të sektorit bankar dhe vit i ndryshimeve dinamike dhe i sfidave të reja me të cilat ballafaqohet ky sektor.

Lumezi tha se kjo normë mesatare për kredi, vendos Kosovën në mesataren e vendeve të rajonit të  Ballkanit perëndimor dhe si e tillë reflekton edhe me kushtet e ngjashme e të bërit biznes.

Ai tha se sigurisht që mund të bëhet edhe më shumë, dhe nuk do të ndalen me kaq për mundësi të reja për të rritur edhe më shumë kreditimin, në veçanti te bizneset e vogla dhe të mesme, por për këtë kërkohet edhe adresimi i barrierave të ndryshme për afarizmin më efikas të bankave siç është çështja e efikasitetit të sistemit gjyqësor apo zbatimit të kontratave, reduktimi i informalitetit, digjitalizimi i ekonomisë dhe reduktimi I pasigurisë juridike të investitorëve përmes harmonizimit të legjislacionit me atë të bashkimit evropian.

Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovë, Petrit Balija tha se jo rrallë herë agjenda politike është ajo që dominon në opinion e gjerë publik dhe puna e madhe që bëhet nga bankierët mund edhe të mos ketë vëmendjen e duhur të shoqërisë.

Ai theksoi se rezultatet e punës së bankave komerciale janë më se të prekshme për shoqërinë kosovare.

Ai shtoi se sektori bankar edhe këtë vit ka qenë stabil, duke perfomuar një fitim të mirë si dhe stabilitet në likuiditet, andaj sipas tij, edhe vitet e ardhshme pritet të ketë rritje të kreditimit për bizneset dhe qasje më të madhe financiare. 

Anëtari i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Arton Celina i cili udhëhoqi diskutimin në panelin “Potenciali i sektorit bankar në Kosovë: sfidat dhe mundësitë”, tha se digjitalizimi i shërbimeve bankare mbetet një prej synimeve në vazhdimësi të bankave komerciale.

Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli që ishte pjesë e këtij paneli tha se sektori i bankar në Kosovë është storie suksesi bazuar në shifrat e publikuara nga Shoqata e bankave.

Ai ka këshilluar që të ketë zhvillime të mëtutjeshme për zgjidhjen e çështjes POS-ave si dhe avancimi i mëtejmë për qasje në financa.

Robert Wright nënkryetar i Shoqatës së Bankave në Kosovë në këtë konventë ka paraqitur të dhënat performuese të sektorit bankar në Kosovë, i cili veçoi se kreditë e këqija shënojnë nivelin më të ulët, prej rreth 2.2 për qind, që është niveli më i ulët në rajon.

Në fund Konventa vjetore e Shoqatës së Bankave të Kosovës, u vlerësua si frytdhënëse ku janë adresuar mjaft tema për qasje në llogari bankare në kushte më të mira dhe më të përshtatshme.


MË SHUME NGA Ekonomi