Ligji për Paga në Sektorin Publik do të fillojë të aplikohet që nga ky muaj

Ligji për Paga në Sektorin Publik do të fillojë të aplikohet që nga ky muaj

Ligji për Paga në Sektorin Publik do të fillojë të aplikohet që nga ky muaj edhe përkundër që Institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Në lidhje me këtë vendim të Avokatit të Popullit, disa sindikata të punëtorëve në sektorin publik kanë paralajmëruar greva në rast se pezullohet ligji.

Edhe pas vendimit të  Institucionit të Avokatit të Popullit  për dërgimin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese, ky ligj do të fillojë të aplikohet që nga ky muaj. Kështu ka thënë në një përgjigjeje për Radio Kosovën  përmes Postes Elektronike zyrtari për Media në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini.  

“Për zbatimin e Ligjit për Pagat janë bërë përgatitjet për të filluar implementimi i tij në muajin dhjetor. Nëse Ligji për Pagat dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë deri në marrjen e vendimit nga kjo Gjykatë ligji aktual është në fuqi dhe nuk e pengon implementimin e tij nga ana e Ministrisë së Financave.” , ka theksuar Shahini.

Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se ligji i pagave duhet të pezullohet nga Kushtetuesja.“Me këtë ligj nuk ka barazi. Ky ligj nuk ka arritur të përmbushur kërkesat, janë një kategori që u shkelen të drejtat. Janë mbi 15 mijë pozita që u shkelen të drejtat dhe pesë mijë të tjerë në sistemin shëndetësor”, tha ai sot  për RTK-ën. 

Jashari, vlerësoi se kanë autorizime për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese për të pezulluar ligjin.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Republikës së Kosovës, Mursel Zymberi, ka theksuar se  Ligji i Pagave në Sektorin Publik bën dallime mes sektorëve, e që sipas tij, qeveria e ardhshme duhet ta ndryshojë. Kundër këtij ligji janë shprehur punëtorët e Post Telekomit të Kosovës, të Korporatës Energjetike të Kosovës, KOST, RTK-së dhe disa punëtorë teknikë në sektorë të ndryshëm. E në rast të mos fillimit të zbatimit të këtij ligji, Sindikata e Arsimit, Shëndetësisë dhe asaj të Policisë kanë paralajmëruar se do të futën në grevë.

Ligji i ri i Pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori. 

 

Autor: Ardiana Hajzeri, Radio Kosova


MË SHUME NGA Ekonomi