Banka mbyll 1,500 vende të punës, pritet të kursej 200 milionë dollarë
Sharr Travel

Banka mbyll 1,500 vende të punës, pritet të kursej 200 milionë dollarë

Banka investive Morgan Stanley pritet të shkurtoj rreth 1,500 vende pune për shkak të shqetësimeve për pasigurinë ekonomike në të gjithë botën.

Shkurtimet e vendeve të punës përfaqësojnë më shumë se 2 për qind të fuqisë punëtore të bankës, e cila në fund të muajit shtator arriti në 60,532 punëtorë.

Nga ana tjetër, banka po planifikon të fitojë rreth 150 deri në 200 milionë dollarë nga shkurtimi i personelit dhe kjo lëvizje vjen në kohën kur kompanitë në të gjithë botën po përpiqen të ulin shpenzimet për të kompensuar mjedisin sfidues të normave të ulëta të interesit, rritjes së ngadaltë ekonomike dhe paqëndrueshmërisë në tregjet financiare.

Disa banka të tjera evropiane gjithashtu kanë reduktuar vendet e punës si një përpjekje për të ulur edhe më tej kostot e tyre operative. Në muajin korrik, Deutsche Bank filloi një aksion rrënjësor që synon të zvogëlojë fuqinë punëtore me plot 18 mijë më pak dhe në përgjithësi një frymë e tillë ka goditur në tërësi sektorin bankar kudo në botë.

Frika e recesionit është lehtësuar disi javët e fundit dhe shenjat tregojnë se ekonomia amerikane po qëndron rezistente ndaj luftës tregtare SHBA-Kinë. Kështu megjithëse industria prodhuese e Amerikës është në rënie, pjesa tjetër e ekonomisë vazhdon të rritet. 266 mijë vende pune u shtuan vetëm në muajin nëntor, ndërsa shkalla e papunësisë u ul në 3.5 për qind, vlera më e ulët në gati 50 vitet e fundit.

Megjithatë numri i vendeve të punës në Wall Street dhe industrinë bankare pritet të bjerë fuqishëm në vazhdim, kur vetëm brenda dekadës së ardhshme mendohet se do të arrijë në 200 mijë vende pune më pak. Shtesat e reja në tregun e punës mund të rregullojnë disi raportet dhe e bëjnë ekonominë më pak të ndjeshme, por pavarësisht kësaj, punëtorët që kanë humbur punën në sektorin bankar përbëjnë numrin më të lartë total regjistruar ndonjëherë në histori.