Të revokohet vendimi i ZRRE-së për burime të ripërtërishme të energjisë

Të revokohet vendimi i ZRRE-së për burime të ripërtërishme të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e 10-të të Bordit për këtë vit, mbajtur më datë 27 nëntor ka marrë vendim për miratimin e mekanizmit mbështetës për burime të ripërtërishme të energjisë në vlerë 85.5 euro.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kundërshton këtë vendim për shkak se shkelë ligjin, pengon hapjen e tregut të ankandeve, si dhe dëmton interesin e konsumatorëve duke imponuar çmime të larta jashtë trendeve të tregut.

"Ne i bëjmë thirrje ZRRE-së të rishqyrtojë në kohë të shpejtë këtë vendim dhe të revokoj atë menjëherë", thekson INDEP.

Ky vendim i ZRRE-së zbaton një udhëzim administrativ të vitit 2017 të miratuar nga Ministri i atëhershëm i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Vendimi në atë kohë sipas INDEP ishte i paligjshëm sepse Ligji Nr. 05/L-081 për Energjinë përcakton qartë se caku për t’u mbuluar deri në vitin 2020 do të jetë 25%.  

“Qeveria i cakton caqet vjetore dhe afatgjata të energjisë së ripërtërishme për konsum të energjisë elektrike, të energjisë termike të prodhuar nga burime të ripërtërishme të energjisë dhe nga bashkëprodhimi, si dhe të energjisë nga burime të ripërtërishme që shfrytëzohet në transport."

"Qeveria do ta miratojë planin shtetëror të veprimit për energji të ripërtërishme për arritjen e cakut që 25% e konsumit të gjithmbarshëm bruto të energjisë në vitin 2020 të mbulohet nga energjia e ripërtërishme. Plani shtetëror i veprimit për energji të ripërtërishme, pas miratimit do t’i dorëzohet Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.”

Ky vendim në atë kohë ishte miratuar nga një Ministër në dorëheqje dhe atë në një kohë të vakumit institucional në mes të zgjedhjeve dhe pa u formuar Qeveria e re.

"Ky vendim ishte plotësisht i pakonsultuar me asnjë nga akterët e sektorit të energjisë. Shkelte nenin 6, pikën 9, të Ligjit Nr. 05/L-081 që parashihte se:  “të gjitha dokumentet dhe udhëzimet që përgatiten nga Ministria do t’i nënshtrohen kërkesave të njëjta për konsultime publike dhe miratohen nga Ministria”", thekson INDEP.

Madje, edhe vet ZRRE ishte shprehur se ky udhëzim “ka krijuar paqartësi dhe pasiguri në politikat shtetërore të sektorit të energjisë.”3 Kjo sepse rriten caqet pa u konsultuar askush, nga një Ministër në dorëheqje dhe me udhëzim administrativ që është i ndryshëm nga përcaktimi ligjor. 

Republika e Kosovës, (2016), Ligji Nr. 05/L-081 për Energjinë, Neni 15, paragrafi 1,: GZRKS.  2 Ibid, Neni 6, paragrafi 9.  3 Zyra e Rregullatorit për Energji, (2019), Draft Raport Konsultativ mbi Mekanizmin e Mbështetjes për Caqet e BRE-ve (20 MW Solare Fotovoltaike), faqe 3, Prishtinë: ZRRE. 

Që kur në maj të vitit 2019 ZRRE publikoi draftin e këtij dokumenti konsultativ, ne vlerësuam që ky propozim ishte edhe i paligjshëm edhe i papërballueshëm.

Në njërën anë, ZRRE ka marrë përsipër të zbatojë një udhëzim të miratuar në mënyrë të paligjshme.

Në anën tjetër, lartësia e tarifës që propozohej ishte tejet e lartë prej 90 EUR/MW.

"Ne kemi argumentuar që kjo shifër është tejet e lartë dhe konsiderojmë që edhe vlera e rishikuar prej 85.5 EUR/MW është shumë e lartë dhe në shpërputhje me çmimin e tregut", thekson me tutje INDEP.

Në Shqipëri, nga procesi i ankandit, ka dalë çmimi prej 59.9 EUR/MW apo 30% më i ulët.

ZRRE asnjëherë nuk ka marrë mundin t’i përgjigjet me shkrim komenteve te INDEP.

Kjo praktikë e injorimit të komenteve të palëve dhe mosdhënies së përgjigjes sipas INDEP është jodemokratike dhe në kundërshtim me parimet për një Rregullator të hapur e transparent. 

Ky vendim jo vetëm që është më i shtrenjtë për gati dyfish sesa trendet e fundit të çmimeve, por edhe i humbë mundësinë Kosovës që të procedojë me tregun e ankandeve për këtë pjesë të energjisë.

Ky proces do të siguronte konkurrencë, çmim më të mirë për konsumatorët dhe transparencë më të madhe. Ky vendim nuk siguron asgjë përveç fitimin e garantuar për ca investitorë. 

"Ne i bëjmë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të revokojë këtë vendim. Gjithashtu, i bëjmë thirrje edhe Qeverisë së re dhe institucioneve të sigurojnë një Rregullator të Energjisë të pavarur nga ndikimet politike dhe profesional."

"E ardhmja e sektorit të energjisë nuk mund të bazohet mbi vendime të paligjshme në dëm të konkurrencës dhe interesit të qytetarëve", thotë në fund INDEP.    

Autor: RTKlive


MË SHUME NGA Ekonomi