“Si të fuqizohet tregu dhe investimet në Evropën Juglindore”
BKT
Ekonomi

“Si të fuqizohet tregu dhe investimet në Evropën Juglindore”

Si udhëheqëse e radhës e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Ministria e Jashtme e Kosovës ka organizuar të hënën në Prishtinë konferencën e radhës me temën ”Si të forcohet tregu dhe investimet në Evropën Juglindore”.

Në këtë konferencë, e cila u organizua në bashkëpunim edhe me Odën Ekonomike të Kosovës, morën pjesë përfaqësues të odave ekonomike të vendeve të rajonit nga Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria dhe Turqia.

Zëvëndësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në hapjen e kësaj konference potencoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si paraprirës në proçeset integruese në Bashkimin Evropian.

“Përmirësimi i ambientit investues, ndarja e praktikave midis vendeve tona, përmirësimi i infrastrukturës, integriteti dixhital, por edhe zbatimi i reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, janë disa nga temat të cilat do të ndikonin drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal, por edhe bashkëpunimin ndërmjet odave ekonomike të vendeve të rajonit si dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Në këtë konferencë panelistët në diskutimet e tyre shkëmbyen përvojat e tyre duke treguar edhe të dhëna lidhur me eksportet dhe investimet e huaja direkte në vendet që përfaqësojnë, si dhe renditën disa nga sfidat dhe barierat me të cilat ballafaqohet rajoni ynë.

Domosdoshmëria e debateve publiko-private për rritje të investimeve të huaja direkte, lëvizja e lirë, stabiliteti politik, lufta kundë korrupsionit, u vlerësuan si disa nga sfidat me të cilat duhet të përballet rajoni në mënyrë që të krijojë një ambient më të sigurtë ekonomik.

Në anën tjetër pozita e favorshme gjografike, korniza e mirë ligjore, popullsia e re në moshë, krijimi i parqeve të biznesit të cilët ofrojnë kushte të mira për investitorët në aspektin e infrastrukturës, por edhe energjisë, shihen si avantazhe për të rritur investimet e huaja direkte në rajon, në veçanti në Kosovë.

Në këtë kontekst disa nga çështjet të cilat duhet të shikohen me prioritet janë fuqizimi i kompanive vendore, duke nxitur bashkëpunimin e tyre me kompanitë e mëdha ndërkombëtare, por edhe fokusimi në edukimin dhe kualifikimin e popullatës në aftësitë profesionale, si dhe krijimi i kushteve për nxitur prodhimin në vendet e rajonit.


MË SHUME NGA Ekonomi