Tregtia në rajon vijon që të përballet me pengesa të shumta.
Ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi se pavarësisht masave të marra nga Shqipëria përsëri njohja e certifikatave fitosanitare vijon të mbetet problem.
"Palët kanë vlerësuar si të domosdoshme njohjen reciproke të certifikatave të produkteve bujqësore midis vendeve të rajonit dhe mbetemi të angazhuar që këtë proces ta çojmë deri në fund. Protokolli shtesë gjashtë, për tregëtinë në shërbime është pranuar nga palët dhe është gati për adoptim. Të gjithë ne duhet të kemi një fokus të fortë edhe në tregëtinë në shërbime", tha Anila Denaj, transmeton REL.
Në emër të komisionit Europian Genoveva Ruiz Calavera theksoi se bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm për zhvillimin rajonal
"Kooperimi rajonal është një çelës në drejtim të rrugës europiane. Bashkëpunimi rajonal është një detyrim i nënshkruar në marrëveshjen e stabilizim asocimit dhe puna në këtë drejtim është shumë e rëndësishme. Ne duhet të sigurohemi që zëri i biznesit të dëgjohet", tha Calavera.
Shqipëria ka përfunduar kryesimin e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore ose siç njihet ndryshe CEFTA për vitin 2019. Tashmë kryesimin pritet ta marë Bosnje –Hercegovina.























