Kërkohen kontrolle të shpeshta për kancerin e gjirit
Sëmundja e kancerit gjatë viteve të fundit ka prekur shumë kosovarë. Mbi 1 mijë e 500 persona me kancer thuhet se janë lajmëruar gjatë këtij viti në Kosovë, derisa kanceri i gjirit, ai i mushkërive dhe i zorrës së trashë vlerësohet të jenë llojet më të përhapura në vend.
Një lloj tjetër i kancerit që po prek një numër të madh të qytetarëve është edhe ai i gjirit, ku vetëm deri në muajin tetor të këtij viti janë evidentuar 315 raste me këtë sëmundje.
Nafije Latifi, kryetare në qendrën kosovare për luftimin e kancerit të gjirit “Jeta Vita”, ka thënë për “Zërin” se suksesi më i madh i çdo gruaje është zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje, zbulim që nënkupton edhe mbijetesë.
Ajo ka thënë se në mënyra të ndryshme vazhdimisht i informojnë gratë të bëjnë kontrolle të shpeshta. “Për t’i vetëdijesuar gratë ne bëjmë takime të përditshme me to e po ashtu edhe paraqitje mediale, që kanë të bëjnë me shëndetin e gruas. Këto gra përveç informatës kanë nevojë edhe të kenë kërkesa prej vetë personelit mjekësor, që sa herë të paraqiten për kontrolle t’u thuhet të bëjnë kontrolle edhe të gjirit. Zbulimi i hershëm i sëmundjes është mbijetesë, është trajtim më i lehtë e me më pak shpenzime”.
Përndryshe Latifi është shprehur e pakënaqur për mungesën e barnave për të prekurit me kancer e po ashtu edhe për mungesën e disa aparaturave të nevojshme për to. “Unë mendoj që Klinika e Onkologjisë ofron shërbime profesionale, por mundësitë aty janë mjaft të kufizuara, sepse së pari e gjithë ajo ndërtesë nuk mjafton për gjithë këtë fluks të pacientëve. Pastaj nuk ka as aparaturë të mjaftueshme e nuk ka barna çdoherë”, ka theksuar ajo.























