Dita Botërore e Diabetit, fokus parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm
BKT
Shëndetësi

Dita Botërore e Diabetit, fokus parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm

Sh.G|RTKlive

Nën moton “Vepro herët, parandalo diabetin!”, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Pejë kanë organizuar një tryezë të rrumbullakët me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, ku në fokus ishte parandalimi, diagnostikimi i hershëm dhe menaxhimi i kësaj sëmundjeje.

Fushata e këtij viti synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e identifikimit të hershëm të diabetit, reduktimin e faktorëve të rrezikut dhe sigurimin e kujdesit të vazhdueshëm për personat që jetojnë me këtë sëmundje.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, për mbështetjen e trajtimit të personave me diabet janë ndarë 173,754.14 euro për terapinë orale dhe 3,321,059.11 euro për sigurimin e insulinave analoge. Këto mjete synojnë të mbulojnë nevojat për terapi të rreth 16 mijë personave insulinovartës.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, IKShPK-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtoritë komunale të shëndetësisë, po organizon edhe aktivitete vetëdijesuese në nivel vendi. Aktivitetet përfshijnë ligjërata edukative, këshillime shëndetësore, matje të glikemisë dhe peshës trupore, si dhe shpërndarje të materialeve informuese.

Në tryezën e organizuar në Pejë morën pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, drejtorive komunale të shëndetësisë, organizatave joqeveritare dhe akterë të tjerë relevantë. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për parandalimin dhe menaxhimin e diabetit.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për shëndetin përmes kontrolleve të rregullta, ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik, duke theksuar se diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi me kohë ndihmojnë në parandalimin e komplikimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.


MË SHUME NGA Shëndetësi