Tatimimi i tokave bujqësore që nuk punohen nuk do fillojë as në vitin 2020
BKT
Ekonomi

Tatimimi i tokave bujqësore që nuk punohen nuk do fillojë as në vitin 2020

Ndonëse qytetarët e Kosovës që posedojnë toka bujqësore e nuk i punojnë ishin paralajmëruar se duke filluar nga ky vit do të detyrohen t’i paguajnë tatim shtetit, një gjë e tillë siç duket nuk do të ndodhë deri në vitin 2021. Kjo pasi Ministria e Bujqësisë ende nuk e ka përgatitur bazën ligjore për të nisur së zbatuari tatimin për tokën që nuk shfrytëzohet për kultivim.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për KosovaPress, bëjnë të ditur se janë duke punuar në këtë drejtim.

Shefi i divizionit të tokave bujqësore pranë kësaj ministrie, Idriz Gashi tha se ende nuk është finalizuar udhëzimi administrativ që do përcaktojë procedurat dhe kriteret se cilat toka bujqësore nuk kultivohen por ende nuk është finalizuar.

Pengesë tjetër për mos nisjen e pagesës së tatimit për tokat bujqësore të papunuara, ai thotë se janë edhe të dhënat katastrale.

Shefi i divizionit të tokave bujqësore, thotë se qëllimi i kësaj politike ishte që të stimulohen qytetarët që t’i punojnë këto toka.

Se qytetarët e Kosovës nuk do obligohen ta paguajnë tokën që nuk e punojnë e tha për KosovaPress edhe drejtori për Tatimin në Pronë, pranë Ministrisë së Financave, Shkëlzen Morina, i cili tha se meqenëse nuk është hartuar ende udhëzimi administrativ që e rregullon tatimin për tokat bujqësore që nuk punohen, zbatimi i vendimi për tatim për tokat që nuk kultivohen do shtyhet deri në vitin 2021.

Nga tatimi për tokat komerciale-industriale, këtë vit janë mbledhur rreth 1 milion euro.

Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci tha se vonesa për vënje në zbatim të mekanizmit për pagesën e tatimit për tokat bujqësore që nuk punohen edhe në vitin e ardhshëm do të sjellë ende toka me djerrina.

Sipas tij, madje fermerët që nuk e kultivojnë tokën bujqësore duhet të paguajnë tatim të dyfishtë.

Pas regjistrimit të Bujqësisë, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikuar në muajin mars të vitit 2015, sipërfaqja e tokës bujqësore është gjithsej 512 000.29 hektarë. Ndërkaq, ekonomitë bujqësore në Kosovë shfrytëzojnë gjithsej 413 635 hektarë tokë bujqësore.


MË SHUME NGA Ekonomi