Kompania ku punëtorët marrin nga 17 paga në vit
BKT
Ekonomi

Kompania ku punëtorët marrin nga 17 paga në vit

Vullneti, guximi dhe qëndrueshmëria po ia mundësojnë Fatmir Zymberit të jetë një biznesmen i suksesshëm në Kosovë.

Madje biznesmeni kosovar me nënshtetësi norvegjeze ka arritur që bizneset e tij me brende ndërkombëtare, ‘Jysk’ dhe ‘KFC’ të jenë storie suksesi në Kosovë me një qarkullim financiar vjetor mbi 30 milionë euro në vit.

Përveç se ka arritur të bëhet një ndër tatimpaguesit më të mëdhenj, aktualisht Zymberi ka arritur t’i punësojë 1200 punëtorë, të cilët kanë bonuse, marrin edhe pagën e 17-të në vit.

Fatmir Zymberi, i lindur dhe i rritur në qytetin e Mitrovicës, si muzikant i emigruar në Norvegji në 1985 për një jetë më të mirë, në vitet e ’90-ta kishte krijuar një kompani ndërtimore në skandinavi.

Menjëherë pas luftës, Zymberi e la Norvegjinë dhe si entuziast për të investuar dhe hapur vende të reja të punës në Kosovë, ka hapur fabrikën për të gjitha llojet e ngjyrave të brendshme dhe të jashtme, si dhe pajisjet e pikturës.

Në vitin 2003 firmosi një marrëveshje ekskluzive me ‘Jysk’, kompani daneze në mbarë botën për pajisje shtëpiake e specializuar në fushën për dyshekë, kuverta, jastëk, mobilie dhe dekor në shtëpi. Jysk operon me 2450 dyqane në 48 shtete të botës, ndërsa për momentin janë 17 dyqane në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Po ashtu, në vitin 2016 është nënshkruar edhe një marrëveshje ekskluzive me KFC, një zinxhir botëror i restoranteve të ushqimit të shpejtë që operon me mbi 20 mijë KFC restorant në botë, ndërsa në Kosovë 11 sosh.

“Dëshira ime për të bërë diçka në Kosovë, ka qenë menjëherë pas përfundimit të luftës. Kam ardhur në ’99-tën, menjëherë pas luftës e kam hapur kompaninë ‘Scan color’, që ka qenë prodhimi i parë i ngjyrave në Kosovë, ndërsa shitjen e tyre e kam bërë në nëntor 1999... Në viti 2004 e hapëm ‘Jysk’,  brendi i parë ndërkombëtar në Kosovë që është ndërtuar këtu në Fushë Kosovë... Sot funksionojmë në tri shtete, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni diku me 17 qendra të shitjes, që në vitin e ardhshëm do të hapen edhe pesë të tjera. Në vitin 2015 bëmë marrëveshjen edhe me KFC, hapjen e parë e kemi bërë në 2016-të, jemi një prej brendeve ndërkombëtare që është numër një në botë. Është një franshizë më e shpejtë që është zhvilluar në Evropë, ku ne sot në Kosovë i kemi 11 restorante për tri vjet. Kemi filluar në Maqedoni restorantin numër pesë, kështu që në total i kemi 16. Ke mi nënshkruar kontratën për Greqinë e mesme dhe veriore që ne nga Kosova jemi pronar dhe e zhvillojmë KFC në Greqi”, thotë Zymberi.  

Ai në rrëfimin e tij si një biznesmen i suksesshëm shprehet i lumtur se kanë arritur të punësojnë rreth 1 mijë e 200 punëtorë në ‘Jysk’, ‘KFC’ dhe ‘Scan color’.

Udhëheqësi i këtyre bizneseve thotë se përveç që paguhen mirë, kanë benificione të ndryshme dhe sigurim shëndetësor, ka raste që punëtorët marrin deri në 15, 16 dhe 17 rroga në vit.

“Rrogat i kanë në nivel të mirë, i marrin me rregull. Nuk ka ndodhë në historinë tonë me u vonuar një orë, nëse i bien e diel pagat dalin ditën e fundit para vikendit. Ne paguajmë sigurim shëndetësor për të gjithë punëtorët që punojnë në kompani. Përveç benificioneve të tjera, kanë bonuese të ndryshme. E dimë që viti i ka 12 muaj, por ka raste që te ne punëtori merr 15-16-17 rroga në vjet”, thotë Zymberi.

Zymberi po thotë se Kosova është një prej vendeve më të lehta për të bërë biznes, teksa pohon se ‘ka fjalë për korrupsion, por për të pasur korrupsion duhet të jenë dy palë. Nga viti 2000 që kur kam filluar me biznes deri sot asnjë herë nuk jam përball më korrupsion’.

Po ashtu ai pati edhe një porosi për mërgimtarët biznesmenë.

“Kosova është e hapur për të gjithë, Kosova është çliruar qe 20 vjet, mundësitë janë moti, dyert i kanë të hapura dhe ky vend nuk ka nevojë për para të biznesmenëve të diasporës, ky vend ka nevojë për përvojën e tyre. Paratë në Kosovë ekzistojnë, institucionet financiare janë të mira pavarësisht se ka ankesa për kamata të larta… (14’08) Nëse mërgimtarët e donë këtë vend duke dashur edhe vetveten, s’e ky vend sa është i imi është edhe i tyre dhe i të gjithëve. Nëse ata donë këtu, Kosova është e hapur... Edhe Kosova është një sfidë e re, por mundësitë janë jashtëzakonisht të mëdha dhe mos të presin që me i ftuar qeveritë ose organizatat e ndryshme”, tha Zymberaj.  

Madje, ai thotë se është një prej tatimpaguesve më të mëdhenj në vend, me një qarkullim financiar mbi 30 milionë euro në vit. Ai po ashtu shprehet se nuk ka shtet tjetër që mund ta joshë më shumë se Kosova për veprimtari ekonomike.

“Në Kosovë sot mundësitë janë jashtëzakonisht të mëdha. Unë jam këtu, bëj biznes, jam i lumtur i kënaqur dhe nuk ka forcë ekonomike që më joshë që të shkoj të punoj në një shtet tjetër. Unë punoj në shtete të ndryshme, por bazën e kam në Kosovë dhe taksat i paguaj në këtë vend... Diku sillet rreth 30 milionë euro qarkullimi vjetor. Ne kemi dhe shumë biznese të tjera që janë në proces të fillimit, unë dhe shtatë aksionarë të tjerë të kompanive të ndryshme që kemi filluar ta ndërtojmë qendrën më të madhe tregtare rajonale në Prishtinë. Kështu që edhe ai është një biznes i madh që do të fillojë. Qarkullimi ynë është 30 milionë dhe jemi taksapaguesit më të mëdhenj dhe më të rregullt në Kosovë nga viti 2005”, thotë Zymberaj.

‘Jysk’ është kompani daneze, bazën dhe zanafillën e ka në Danimarkë, produktet me standard të Skandinavisë, janë diku 600 fabrika që prodhojnë për këtë kompani.

Megjithatë, në Kosovë ka filluar që edhe shumë prodhime vendore sidomos në teknologjinë e drurit të futen në dyqanet e ‘Jysk’.

Ndërsa, katër produktet vendore janë futur këto ditë në rrjetin e  KFC-së, mielli, uji, kafja, ndërsa është në proces tjetër mishi i pulës, që duhet ende të plotësohen disa standarde, por shumë shpejt edhe ky produkt do të futet./KP


MË SHUME NGA Ekonomi