OPEC vendos reduktimin e prodhimit të naftës
BKT
Ekonomi

OPEC vendos reduktimin e prodhimit të naftës

Vendimi i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe atyre jashtë OPEC-ut për reduktimin e prodhimit ditor të naftës prej 500000 fuçi, hyri në fuqi.

Vendimi në fjalë ishte marrë pas takimit të shtatë të ministrave respektivë, i organizuar në Vjenë, më 6 dhjetor 2019.

Në kuadër të vendimit, vendet e OPEC-ut dhe jashtë OPEC-ut do të reduktojnë me 500000 fuçi në ditë prodhimin e naftës së papërpunuar.

Reduktimi do t’i shtohet reduktimit të mëparshëm që vazhdon që nga dhjetori i vitit 2018 prej mesatarisht 1,2 milion fuçish në ditë dhe do të zbatohet deri në fund të marsit të vitit 2020.

”Arabia Saudite do të marrë përsipër pjesën më të madhe të barrës së reduktimit prej 500000 fuçish në ditë duke ulur prodhimin e saj individual me 167000 fuçi”, kishte njoftuar ministri i Energjisë, princi Abdulaziz bin Salman, para përfaqësuesve të mediave më 6 dhjetor në Vjenë.

“Arabia Saudite gjithashtu në bazë vullnetare do të ulë prodhimtarinë e naftës së papërpunuar me 400000 fuçi në ditë duke e çuar sasinë e përgjithshme në 2,1 milionë fuçi në ditë nga 1 janari i vitit 2020”, shtoi ai.

Pas vendimit të reduktimit shtesë, ekspertët presin që çmimet e naftës së papërpunuar të rriten në tregun global të naftës./ATSH/


MË SHUME NGA Ekonomi