Kuvendi mund ta miratojë buxhetin e vitit 2020
Fazli Veliu, RTK
Vitin 2020 Kosova e ka nisur pa buxhet të miratuar. Ndonëse për tre muajt e parë të këtij viti nuk pritet që të ketë problem, në rast të mosmiratimit të buxhetit deri në muajin prill rrethanat mund të ndryshojnë.
Nëse kuvendarët nuk e kalojnë buxhetin për këtë vit, nga muaji prill ndalen të gjitha pagesat për paga, për pensione e për shërbime të tjera.
Ministria e Financave ka përgatitur projektbuxhetin për vitin 2020 në kohë, por në mungesë të konstituimit të Kuvendit, nuk ka qenë e mundur dërgimi në Kuvend të Kosovës.
“Nëse subjektet politike merren vesh, projektligji për buxhet mund të dërgohet në Kuvend nga qeveria në dorëheqje dhe i njëjti të miratohet”, thotë për RTK këshilltar i ish-ministri i Financave Bedri Hamza, Lulzim Rafuna.
Gërxhaliu: Nëse nuk miratohet buxheti sektori privat do të pësojë
Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, thotë se në këtë situatë, sektori privat do të pësojë më së shumti nga mungesa e miratimit të buxhetit të Kosovës dhe se bankat në Kosovë do të jenë përfituese në këtë situatë sepse bizneset do duhet të hyjnë në kredi të shumta për të operuar pasi, siç dihet sektori private është shtyllë kryesore e ekonomisë së Kosovës.
“Nëse nuk miratohet buxheti i vitit 2020, ai që do të pësojë më së shumti është sektori privat, pasi që bizneset do të jenë të detyruar të hyjnë në kredi për të përmbushur nevojat e tyre”, tha ai për RTK.
Sipas tij është urgjencë që sa më shpejt të miratohet buxheti. “Nëse nuk miratohet buxheti do të ketë mungesë të realizmit të investimeve kapitale, po ashtu edhe do të ketë probleme të biznese vendore. Sektori privat do të jetë i goditur. Me qeverinë e re do të duhet të ketë projeksione të tjera, pasi që koalicioni i ri nëse krijohet do të ketë prioritete të tjera”, tha ai.
Ai tha se nëse nuk miratohet buxheti duhet të gjendet zgjidhje tjetër, duke përfshirë edhe që të kyçet presidenti.
Kosova ka miratuar vetëm korniza afatmesme të shpenzimeve 2020–2023, e cila paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Sipas kësaj kornize, buxheti i Kosovës parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro.























