Gërxhaliu: Është çështje urgjente të miratohet buxheti i vitit 2020
Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu tha se është çështje urgjente të miratohet buxheti i vitit 2020.
"Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë çdo gjë për të miratuar buxhetin e vitit 2020, edhe nëse nuk krijohet qeveria e re", tha ai sot në emisionin e mëngjesit "Mirëmëngjesi Kosovë", në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tij tani Kuvendi i Kosovës është konstituar dhe kjo jep mundësi aë të dilet nga bllokada e cila mund të ketë pasoja të rënda.
"Nëse nuk votohet buxheti i vitit 2020, më së shumti do të dëmtohen bizneset e vendit të cilat do të duhet të marrin kredi në banka", tha ai.
Gërxhaliu vlerësoi se buxheti i vitit duhet të orientohet në zhvillim.
"Sektori privat do të pësojë më së shumti nga mungesa e miratimit të buxhetit të Kosovës dhe se bankat në Kosovë do të jenë përfituese në këtë situatë sepse bizneset do duhet të hyjnë në kredi të shumta për të operuar pasi, siç dihet sektori private është shtyllë kryesore e ekonomisë së Kosovës" tha ai.
Ndryshe Kosova ka miratuar vetëm korniza afatmesme të shpenzimeve 2020–2023, e cila paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Sipas kësaj kornize, buxheti i Kosovës parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro.























