Meningokokosemia alarmon shëndetësinë shqiptare
Tre vdekje pacientësh në spitalet publike të Shqipërisë brenda një kohe të shkurtër prej 48 orësh, kanë vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore në vend për të kuptuar shkaqet dhe nëse rastet janë të lidhura me njëra tjetrën.
Insitutut i Shëndetit Publik të Shqipërisë një deklaratë zyrtare konfirmoi se një person i seksit mashkull në moshë të re ndërroi jetë në spitalin infektiv të QSUT si pasojë e prekjes nga meningokokosemia, ndërsa dy rastet e tjera, një grua në spitalin rajonal të Durrësit dhe një burrë në Qendren Klinike Universitare të Tiranës QSUT, për të cilat ende po hetohet, dyshohet se kanë ardhur nga virozat gripale.
Silva Bino në një dalje për mediat sqaroi opinionin publik se ky është një infeksion i rëndë, që ka një evolucion tepër të shpejtë dhe është fatal, por nuk ka vend për panik pasi raste janë sporadike dhe po hetohen të gjithë personat e kontaktit.
“Është infeksion i rëndë, fatal, që ka një evolucion tepër të shpejtë. Është një sëmundje e transmetueshme dhe për personat e kontaktojnë marrë masat e duhura. Nuk ka rrezik, pasi të gjithë personat që kishin kontakt me personin e prekur kanë marrë antibiotikët. Kemi vetëm një rast të evidentuar. Rasti i Durrësit nuk ka dyshim për sëmundje të tillë. Mostrat po analizohen, duhet të presim rezultatin dhe të themi të vërtetën” tha zonja Bino.
Bakteri që shkakton sëmundjen e meningokoksemisë përhapet nëpërmjet sparklave dhe shfaqet në periudhën e qarkullimit të shumtë të virozave stinore. Ky bakter prek gjakun e individit duke shkaktuar dhe humbje të jetës. Sipas mjekëve diagnoza e menjëhershme është e vështirë, pasi ka simptoma të ngjashme me një sëmundje virale.
Ekspertja e shëndetit publik Silva Bino shprehet se nuk ka vend për panik, pasi janë raste sporadike dhe çdo vit ka të tilla.























