Kompania ajrore greke me kapital libanez synon tregun e Kosovës

Kompania ajrore greke me kapital libanez synon tregun e Kosovës

Kompani të ndryshme po tentojnë ta shfrytëzojnë mungesën e institucioneve për t’u futur në tregun financiar, të  shërbimeve dhe investimeve në Kosovë. Vendi ynë  është bërë terren tërheqës për kompani ajrore të udhëtimeve nga Lindja e Afërt që nuk shquhen për ndonjë afarizëm të shëndoshë e korrekt.

Ditëve të fundit  për t’u futur në tregun e Kosovës ka shfaqur interesim kompania ajrore me seli në Greqi – “AIR Mediterany”, me pronar e menaxher të saj Fadi Hal  dhe me kapital libanez.

Kjo kompani, që për njohësit e tregjeve të fluturimeve ajrore nuk është shumë e njohur ose fare e panjohur, sipas të dhënave posedon gjithsej dy avionë shumë të vjetër rreth 30 vjet. Njëri aeroplan i “AIR Mediterany” është tip “737-400, SX-MAH” me 168 vende dhe është i angazhuar pothuajse vetëm në tregun e shteteve të Gjirit Persik, përkatësisht në linjat ndërmjet Arabisë Saudite dhe të disa shteteve arabe (Irak, Erbil, Sylejmani dhe disa vende të tjera arabe). Po ashtu kjo kompani synon të operojë në Kosovë edhe me aeroplanin tjetër “SX-MAI” të vjetër rreth 30 vjet.

Kompania “AIR Mediterany” nuk shquhet për ndonjë përvojë të gjatë në tregun e fluturimeve. Në fakt ajo është fare e re në këtë treg, pasi kompania është regjistruar për herë të parë vetëm në vitin 2017.  Madje në vitin e parë të regjistrimit “AIR Mediterany” ka punuar fillimisht vetëm 3 muaj, për shkak se pas kësaj periudhe i janë pezulluar të gjitha fluturimet shkaku i marrjes së licencës. Nuk dihen arsyet për marrjen e  kësaj licence. Pastaj kjo kompani është riaktivizuar tek në prill të vitit 2018. 

Sidoqoftë, për shkak të bagazhit të pasqaruar afaristo-financiar të kësaj kompanie, institucionet  kompetente duhet t’i verifikojë dhe  vlerësojnë investimet e huaja dhe të analizojnë deri në detaje interesin e vendit tonë për këso investimesh. Është e udhës pra që detajisht të shtjellohet afarizmi e serioziteti i kompanisë, për të mos ndodhur siç ka ndodhur në shumë raste, për të diskutuar më pastaj pasojat eventuale.

Një analizë më të detajuar institucionet tona kompetente do të duhej t’ua bëjnë në fakt të gjitha  interesimeve të investitorëve të jashtëm, të cilët nuk kanë ndonjë projekt shumë të dëshmuar dhe që në këto kohëra nuk janë të pakta. Pra kohëve të fundit ka shumë të interesuar nga jashtë, e posaçërisht investitorë  nga Lindja e Mesme – investitorë me kapital të ndryshëm, sidomos nga bota arabe për të ardhur në Kosovë. Nuk janë të pakta as kompanitë ajrore, të cilat synojnë tregun e Kosovës me kapital të ndryshëm. Prandaj duhet të kihet kujdes.

Kërkesa për operim në Kosovë pati kohët e fundit nga Egjipti, nga Siria, nga Iraku dhe nga të tjera vende arabe. Është e ditur se operatorëve nga Egjipti u është refuzuar kërkesa për operim në Kosovë.GE