OEGJK mbajti Takimin e Fillimvitit me kompanitë anëtare
Oda Ekonomike Gjermane-Kosovare (OEGJK), së bashku me departamentin ekonomik të Ambasadës Gjermane në Prishtinë mbajti sot, më datë 31.01.2020, Takimin e Fillimvitit me kompanitë anëtare.
Presidenti i Bordit të OEGJK-së, z.Ilir Aliu dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Ambasadës Gjermane, z.Jan-Axel Voss, i`u dëshiruan mirëseardhje të ftuarve të pranishëm. Gjatë takimit, drejtoresha menaxhuese, znj. Nora Hasani informoi bizneset anëtare lidhur me aktivitetet e planifikuara nga OEGJK për vitin 2020. Më pas, u hap diskutim lidhur me sygjerimet dhe komentet e bizneseve anëtare.
“OEGJK, gjatë vitit 2019 pati rritje prej 41 % në anëtarësi dhe 150% rritje të kërkesave për SES- Ekspertë nga Gjermania. Rritje patën edhe investimet gjermane në Kosovë, ku përmes shërbimit “Invest in Kosovo” të OEGJK-së, 8 kompani gjermane hapën bizneset e tyre në Kosovë”, theksoi Aliu.
Nora Hasani, theksoi se “Gjatë vitit 2020, falë bashkëpunimit të krijuar me mbi 10 shoqata biznesi e institucione si dhe partnerë të shumtë në Gjermani, OEGJK do të shtojë numrin e aktiviteteve, duke përfshirë pjesëmarrjen në konferenca, panaire, takime B2B si dhe delegacione e grupe te fokusuara biznesesh në Gjermani. Të planifikuara janë 28 aktivitete rrjetëzimi për bizneset anëtare si dhe 7 ngjarje të karakterit të takimeve biznes me biznes (B2B) në Kosovë e Gjermani.”
OEGJK do të vazhdojë të shërbejë si ura lidhëse mes bizneseve gjermane dhe atyre kosovare, duke fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme bizneset anëtare dhe duke i shërbyer rritjes ekonomike të vendit.




























