Në Shqipëri nga sot kryhet diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin

Në Shqipëri nga sot kryhet diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu ka inspektuar sot Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, ku po kryhet nga sot diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin COVID-19.

Manastirliu u shpreh se realizimi i identifikimit dhe zbulimit të Koronavirusit COVID-19 në laboratorin e ISHP, vjen në kuadër të përforcimit dhe rritjes së kapaciteteve për zbulueshmërinë e koronavirusit të ri.

“Jemi sot një hap përpara për forcimin e kapaciteteve tona për identifikimin dhe zbulueshmërinë e koronavirusit të ri, pasi, pas kryerjes së koronaviruseve, edhe analiza e konfirmuar kryhet në laboratorin e ISHP, i njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, -deklaroi Manastirliu.

Forcimi i kapaciteteve të sistemit shëndetësor shqiptar u konfirmua edhe nga Indeksi Global i Sigurisë Shëndetësore, i publikuar nga “The Economist”.
“Shqipëria renditet në vendin e 39 për sigurinë shëndetësore, ndër 195 vende të vlerësuara, për përgjigjen e sistemeve shëndetësore për trajtimin e pacientëve, për zbulimin dhe reagimin e shpejtë ndaj epidemive, etj”, -tha Manastirliu.

Teksa rikonfirmoi se në vendin tonë nuk ka asnjë rast me koronavirus, Manastirliu u shpreh janë gati planet e reagimit sipas shkallës së rrezikshmërisë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në zbatim një plan parapërgatitjeje të masave ndaj koronavirusit sipas rekomandimeve të OBSH.

Janë trajnuar 475 punonjës të sistemit shëndetësor dhe vijon trajnimi kaskadë. Nga ekipet e urgjencës kombëtare, epidemiologët në të gjithë vendin për forcimin e survejancës ALERT, menaxhimin e transportit të një rasti dyshues me koronavirus të ri si dhe është saktësuar procedura se si veprohet me ndjekjen e kontakteve.
Shqipëria ka ndërmarrë masa të cilat u mbështetën edhe nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. /ATSh


MË SHUME NGA Shëndetësi