Bie numri i vdekjes së foshnjave në Kosovë

Bie numri i vdekjes së foshnjave në Kosovë

Në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK ka rënë numri i vdekjes së foshnjave. Në vitin 2018 kanë ndërruar jetë 206 foshnje, ndërsa një vit më vonë 169.

Këto statistika i ka bërë të ditur drejtori i Klinikës Dr. Xhevdet Gojnovci, i cili ka treguar se ky institucion është qendër referente për gjithë Kosovën ku pranohen foshnja nga spitalet regjionale, spitale private, etj.

Sipas tij, ka shumë faktorë të cilët mund të kenë ndikuar në rënien e vdekshmërisë së foshnjave. Një nga to është edhe rënia e foshnjave të lindura në Gjinekologji, numri i foshnjave të lindura parakohe si dhe furnizimi më i mirë me aparatura.

“Mund të ketë shumë faktorë, nuk e kemi studiuar në detaj, vitin 2019 krahasim me vitin 2018 ka edhe një rënie të foshnjave të lindura në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, nga 10.422 foshnje që kanë qenë në vitin 2018, ka diku 600 foshnje më pak në vitin 2019. Poashtu ka edhe një numër më të vogël të foshnjave të lindura para kohe”.

“Mund të bëjë një krahasim psh, foshnjat që kanë lindur nën 1000 gramë është 10 më pak. Kështu që edhe ajo ndikon në zvogëlimin e vdekshmërisë. Poashtu ndikon edhe 2019 -2018 kemi një furnizim më të mirë të aparaturës dhe kemi rekrutua një numër të infermiereve që poashtu ndikojnë në rritjen e shërbimeve shëndetësore që të jenë sa më cilësore ato. Numri i infermiereve në bazë të OBSH-së që duhet të kujdesen për foshnje duhet të jetë dy, ndërsa në Klinikën e Neonatologjisë një infermiere kujdeset për pesë foshnje së paku”, theksoi Gojnovci.


MË SHUME NGA Shëndetësi