Tuberkulozi vazhdon të jetë prezent në Kosovë

Tuberkulozi vazhdon të jetë prezent në Kosovë

Sëmundja e Tuberkulozit vazhdon të jetë prezente në Kosovë. Ndonëse numri i të prekurëve gjatë vitit të kaluar ka shënuar rënje, megjithatë numri prej 650 personave të prekur nga TBC konsideroht mjaft i lartë. Programi Kombëtar për Tuberkuloz, është duke punuar në parandalimin e kësaj sëmundje.

Rreth 650 persona në Kosovë janë prekur me Tuberkuloz gjatë vitit  2019. Drejtoresha e Programit Kombëtar për Tuberkuloz, Dr. Majlinda Gjocaj, ka thënë për Radio Kosovën se disa raste të reja janë regjistruar edhe në fillim të këtij viti.

“Në vitin 2019 rreth 650 persona janë prekur nga Tuberkulozi. Numri ka qenë më i madh e që tani është një trend i zbritjes  jo vetëm në Kosovë por në gjithë Evropën. Rënja e numrit të prekurve nga viti në vit është relativisht e madhe. Ndërsa për vitin 2020 pacientet e parë vetëm janë regjistruar në Institucionet Publike në Kosovë”.

Gjocaj bëri të ditur se rreth trajtimit të kësaj sëmundje është duke u bërë gjithçka, prandaj edhe ka rënje të numrit të të sëmurëve. Trajtimi dhe diagnostikimi për këtë sëmundje ofrohet falas në Kosovë.

“ E vetmja gjë që ne duhet të bëjmë është të rritet ndërgjegjësimi jonë. Duhet të fokusohemi në atë që quhet parandalimi i kësaj sëmundje, pra në edukimin shëndetësor të popullatës dhe diagnostikimi  më të hershëm, do të thotë pacientët mos të arrijnë në fazën e fundit të kësaj sëmundje”, tha Gjocaj.

Kosova prej vitesh është shfrytëzuese e fondeve për TBC dhe HIV nga  Fondi Global, organizatë kjo që aktivitetin e saj e ka të orientuar në mbështetjen financiare dhe asistencën profesionale për  eliminimin  e këtyre sëmundjeve. Ministria e Shëndetësisë është duke përgatitur të aplikojë për t’i fituar fondet për vitin 2021 - 2024  në trajtim të rasteve të Tuberkulozit dhe HIV-it. Gjocaj tha se shuma që pritet të ndahet për të prekurit me TBC do të jetë edhe për avokim dhe mobilizim social,  me punë sa më të madhe në komunitet, duke vizituar kështu pacientët dhe familjarët për të ofruar edukim shëndetësorë. Në këtë projekt parashihet të rriten kapacitetet në ofrimin e shërbimeve në Institucione Shëndetësore.

 

Autor: Arbenita Marmullaku


MË SHUME NGA Shëndetësi