Mbahet kuvendi i katërt i Odës së Infermierëve

Mbahet kuvendi i katërt i Odës së Infermierëve

Në Kuvendin e katërt të legjislaturës së dytë, organet e Odës së Infermierëve kanë raportuar para anëtarësisë për angazhimet e vitit të kaluar dhe kanë miratuar planin e punës së vitit 2020.

Oda e Infermierëve të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e katërt të legjislaturës së dytë. Në këtë kuvend, organet e OIK-ut kanë raportuar për angazhimet e vitit të kaluar si dhe kanë shpalosur planet e punës për vitin 2020.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj ka thënë se OIK, krahas sfidave që ndërlidhen kryesisht me brengën e largimit nga Kosova të qindra profesionistëve shëndetësorë, përfshirë këtu numrin më të madh të stafit infermierorë, ka shënuar suksese të cilat do të lënë gjurmë në infermierinë kosovare.

Gjatë kësaj kohe, sipas Rrustemajt, Këshilli Drejtues ka ndërmarrë aktivitete shumë voluminoze dhe të gjithanshme, duke nxjerrë vendime dhe akte të tjera për rregullimin e çështjeve me prioritet dhe interes për anëtarët e saj.

Kështu, ka shtuar ai, është bërë auditimi i jashtëm për OIK dhe pas këtij auditimi, Këshilli Mbikëqyrës ka adresuar të gjitha të gjeturat e raportit të auditorit të jashtëm.

“Ato ua them në transparencë të plotë se janë trajtuar dhe po trajtohen në vazhdimësi, si një prioritet për ndryshime dhe avancim të shërbimeve në OIK. Po ashtu, edhe Këshilli Etik, gjatë këtij viti është ballafaquar me sfida të shumta, si ato të trajtimit të shkeljeve të etikës dhe deontologjisë, duke ndërmarrë edhe revokime të licencës aty ku janë gjetur shkelje serioze”, ka thënë Rrustemaj.

Ai ka shtuar se trajtimi i këtyre rasteve ishte rezultat i një pune efikase hetimore të kryer paraprakisht nga prokurori i OIK-ut.

OIK, tha Rrustemaj, ka avancuar platformën e saj digjitale, duke synuar që të jetë sa më afër infermierëve.

“Duke iu referuar këtyre vlerave, OIK-u ka krijuar një atmosferë mirëbesimi dhe është faktorizuar si institucion i ri, i besueshëm dhe i respektueshëm”, ka shtuar Rrustemaj.

Ndërkohë, Sami Uka, këshilltar i ministrit të shëndetësisë, i cili përshëndetur Kuvendin e Odës së Infermierëve, duke vlerësuar shumë lart punën e infermierëve kosovarë.

“Nëse shpëton një jetë je hero, nëse shpëton shumë jetë je infermier”, ka thënë Uka, këshilltar i ministrit të shëndetësisë.

Në këtë kuvend, organet e Odës së Infermierëve kanë raportuar para anëtarësisë për angazhimet e vitit të kaluar dhe kanë miratuar planin e punës së vitit 2020.


MË SHUME NGA Shëndetësi